Kriza energjetike dhe rritja e çmimeve, Shkodra: E kishim paralajmëruar, është rritur kostoja e transportit, një kontejner nga Kina do 18 mijë dollarë

Sekretari i Shoqatës së Prodhuesve, Arben Shkodra, i ftuar në emisionin “Debat” me Alba Alishanit në A2 CNN, ku u diskutua për krizën energjetike dhe rritjen e çmimeve, u shpreh se qeveria është paralajmëruar që prej muajit mars për këtë situatë.

“Në çdo deklaratë, që prej muajit mars, ne kemi thënë se kemi një fenomen të rritjes së çmimit të çdo produkti ose lëndëve të para që merrnim nga jashtë. Kjo është reflektuar jo vetëm në debate, por edhe në tryezat apo takimet që ne kemi pasur me entitetet shtetërore. Janë ngritur çështje që preknin edhe fenomenin e rritjes së çmimeve. Ne kishim ngritur shqetësimin se transporti ndërkombëtar kishte filluar prej kohësh të ngrihej si vlerë, nga 1500-2000 për kontejner që vinte nga Kina, ditët e fundit çmimi ka shkuar 16000 apo edhe 18000 dollarë. Nëse ne do të duhet të blejmë mallra më të shtrenjta, normalisht do të shiten më shtrenjtë. Jo të gjithë prodhuesit kanë reflektuar menjëherë çmimet, pasi kanë pasur edhe rezerva”, u shpreh Arben Shkodra.

Më tej, ai u shpreh se nuk ka mbështetje nga qeveria apo thirrje për diskutim me prodhuesit për rritjen e çmimeve.

“Sisteme të tjera ekonomike, si të vendeve fqinje, por edhe të partnerëve tanë siç është Italia, Greqia apo vende të tjera Europiane, kanë në sistemin e tyre ekonomik mekanizma mbrojtës, subvencionues. I njëjti mall mund të vijë nga Italia me një çmim shumë herë më të vogël. Rritja e çmimit nuk është një kënaqësi e shumë pritur për ne, madje jemi të shqetësuar. Nga ana tjetër, shohim se nuk kemi një mbështetje, nuk ka një tryezë dialogu, për të thënë, zotëri ka një fenomen që nuk është stinor. Për këtë arsye, Ministria e Financave duhet të ulet me prodhuesit për të parë se çfarë po ndodh. Ne nuk kemi”.