Pandemia në Europë, gjermanët teste me pagesë, në Rumani kthehet izolimi

EUROPA PANDEMIA frame 538 1100x620

Gjermanët u thonë lamtumirë testeve falas. Nga sot, konfirmimi i negativitetit apo pozitivitetit do të jetë me para. Për të shtyrë popullsinë të vaksinohet kundër koronavirusit, Berlini synon portofolin. Testit me pagesë do të mund t’u shpëtojnë vetëm fëmijët nën 12 vjeç dhe gratë shtatzëna.

Politika thotë, se do ishte e gabuar, të paguhej nga shoqëria testi i Covid-19 për ata që refuzojnë vaksinimin. I njëjti vendim do të vlejë edhe për Francën nga kjo e premte, ditë kur certifikata e gjelbër do të bëhet e detyrueshme në të gjitha vendet e punës dhe në Itali.

Në Europë, Rumania është mes vendeve me panoramën më të zymtë pandemike, ndërsa kalon vetëm Bullgarinë për numër vaksinimesh. Vala e 4 e Covid-19 po rezulton fatale në këtë vend, me gati 14 mijë të infektuar në 24 orët e fundit dhe 380 viktima. Reanimacionet janë të tejmbushura, ndërsa maska është bërë sërish e detyrueshme në vendet publike. Në disa zona në juglindje të vendit është kthyer izolimi.

Sakaq, në Mbretërinë e Bashkuar, autoritetet bëjnë thirrje për vaksinim të popullsisë kundër gripit. Shifrat e të prekurve ranë ndjeshëm vitin e kaluar për shkak të masave antiCovid, por niveli i vdekshmërisë mund të dyfishohet në pak muaj.