Shqipëria përpara Polonisë, ndërhyrje kirurgjikale për Gjimshitin, mungon edhe Çekiçi

Pas kthimit nga fitorja e madhe në Hungari, Kombëtarja shqiptare e futbollit zhvilloi një seancë të lehtë stërvitore pasditen e së dielës, më shumë me lojtarët të cilët nuk u aktivizuan kundër Hungarisë. Bekim Balajt në listën e lojtarëve të dëmtuar, tashmë i është shtuar edhe Berat Gjimshiti që pësoi një frakturë në krah gjatë ndeshjes me Hungarinë dhe sot do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Përveç Balajt e Gjimshitit ndaj Polonisë do të mungojë edhe Endri Çekiçi i skualifikuar për shkak kartonësh. Kuqezinjtë do të përballen këtë të martë me Poloninë në stadiumin kombëtar, në atë që mund të quhet një finale për vendin e dytë të Grupi I, e që ndryshe përkthehet në një biletë për fazën play-off.