Subvencionimi me pikatore për fermerët shqiptarë!
Këtë sezon, Sotiraq Çela nuk ka asnjë kilogram domate për të shitur. I gjithë prodhimi i tij është tharë në kulmin e sezonit, kur përgatitej për të dal edhe në treg. Shkak për këtë dështim është bërë vetë bima, e cila nuk ka sistem rrënjor të fortë për të rritur kokrrat. Sotiraqi ka harxhuar afro 150 mijë lekë të reja për dynym, shpenzime të orientuara drejt farërave të fidanëve, plehëruesve si dhe shpenzime për rritjen e bimës. Mes këtyre shpenzimeve, ai nuk ka marrë asnjë qindarkë nga shteti, për më shumë se 13 vite. I mungon besimi se do të shpallet fitues në skemat kombëtare të subvencionimit nga Ministria e Bujqësisë, pasi përfitues është shpallur disa herë, por fondi ezaurohej shpejt dhe Sotiraqi kthehej sërish te serat e tij me duar në xhepa.
“Nuk kam aplikuar për subvencionime, sepse e shikonim çdo vit që merrnin ca njerëz gjithmonë”, tregon Çela për A2 CNN. “Në Itali ishin subvencionimet të ndryshme, nga të gjitha llojet”.
Dëmin financiar të këtij sezoni ai nuk ka si ta rikuperojë. Për të shpëtuar të ekonominë e familjes, i biri i Sotiraqit është detyruar të ndjek rrugën e mëparshme të të atit. “Djali 20 vjeç ka ikur në emigrim se këtu çdo gjë ka falimentuar”.

Por si Sotiraqi ka me dhjetëra e qindra fermerë të tjerë. Mariglen Ziu ka 1,5 hektarë sera. Edhe për të ky sezon ka dështuar totalisht, teksa subvencionet ka vite që nuk i përfiton. “Subvencionet i marrin fermerët me kollare, që kanë 3-4 biznese të mëdha. Në s’marrim asgjë”, thotë Ziu.
Nga Ministria e Bujqësisë nuk garantohet një fond më i madh për fermerët. “Interesi është shumë i madh nga fermerët”, thotë zv.ministri Dhimitër Kote. “Ne kemi ndarë vitin e kaluar rreth 6,5 milionë euro vetëm në skemat e mbështetjes. 60% e ka marrë blegtoria, sepse ka nevojë për më shumë mbështetje. Plotësuam rreth 27% të nevojave që kishim”.

Edhe për katër vitet e ardhshme, fondet për bujqësinë do të mbeten thuajse në të njëjtat nivele. “Është rreth 70 milion euro mbështetja që do të ndahet në 4 vite, ku përfshihet edhe nafta. Kurse janë edhe 140 milionë euro mbështetja nga skema e IPARD-it, ku 25% është nga buxheti i shtetit”.
Këto investime, në sektorin që i ofron buxhetit të shtetit 20% të të ardhurave, duken të pamjaftueshme edhe nga ekspertët e fushës. “Investimi ka qenë i papërfillshëm në raport me numrin e fermerëve që përfitojnë”, thotë kryetari i Sindikatës së Fermerëve, Eduart Sharka.
“Në Ballkan, vendi me financimin më të ulët është bujqësia shqiptare. Ndërkohë që vendi më i ri, Kosova, e ka 72 milionë euro vetëm nga buxheti i shtetit. Ndërsa ne jemi në mesatare 6,5-9 milionë euro në total”, thotë eksperti i bujqësisë Ilir Pilku.
“Bujqësia jonë duke qenë aq e fragmentarizuar, nuk i ka përfituar dot mbështetjet e nevojshme nga qeveria dhe kjo ka bërë që një pjesë e mirë e fermerëve të jenë të dështuar”, thotë agronomi Luto Goga.
Fermerët përballë këtyre skemave thonë se ka pasur vend për abuzim, deri te ndërhyrja e sekserëve, duke i tërhequr ata nga aplikimet për të përfituar fonde.
Mosthithja e subvencioneve i ka çuar fermerët drejt listave, duke marr borxh fidanët dhe plehëruesit për të rimbjellë tokën. Madje cilësia e plehërueseve shpesh është jashtë standardit, duke rritur edhe më tej kostot e fermerëve.
Për subvencionimin e fermerëve skemat kanë pësuar ndryshime çdo vit, pasi ende nuk është gjendur një formë përfundimtare që do t’i kënaqte të gjithë. Zv.ministri Kote thotë se përfiton i pari, fermeri që aplikon i pari. Një veprim ky që, sipas Sindikatës së Fermerëve, është një padrejtësi shoqërore, pasi 5 minuta ndajnë fermerin përfitues nga ai jo përfitues. E në këtë diskutim ekspertët kanë disa ide, të cilat ndoshta nuk janë dëgjuar më herët. “Ne kemi bërë një projektligj me ndihmën e Komitetit të Helsinkit dhe IFDC-së që së shpejti do të paraqesim në Parlament me ndihmën e një deputeti, që synon të eliminojë këtë defekt të rëndë”, thotë Sharka.

Përveç ideve, fermerët kanë nevojë për përforcimin e strukturave këshilluese. Pushteti vendor nuk është kujdesur që për fermerët të këtë agronom të dedikuar për të ndjekur prodhimin e tyre. Pikat e grumbullimit kanë marr një vëmendje të veçantë për mbështetje nga ministria, por për fermerët fuqizimi i tyre, nuk ka pasur ndikimin e pritshëm.
As blegtoria nuk është në ditët e saja më të mira. Numri i krerëve të gjedhëve dhe të të imtave ka rënë ndjeshëm, afro 13% më pak. Blegtorët financohen vetëm mbi numër për krerë, përkatësisht 10 mijë lekë të reja në vit për gjedhë dhe 1200 lekë për të imtat.
Mos subvencionimi për litër qumësht, i ka hapur rrugë importit të lëndës së parë nga vendet e Rajonit, atje ku fermeri financohet në disa mënyra duke i ulur koston e prodhimit. Pamjaftueshmëria e subvencioneve po pakëson fuqinë punëtore në fshat. Mosha mesatare e fermerëve po rritet, ndërsa fuqia dhe vullneti i tyre po pakësohet. Të rinjtë nuk po e trashëgojnë zanatin e të parëve duke e lënë bujqësinë si një tokë të djerrë. Shumica e tyre po e kërkojnë mundësinë e punësimit në qytet apo edhe jashtë kufijve, duke e lënë këtë sektor si një hambarë të zbrazët në prag të dimrit të vështirë.
Ky është një prodhim i A2 CNN
Gazetar: Armend Pire
Operator: Stiven Meshini, Endrit Myftari
Montazh dhe Postproduksion: Eliona Baliaj
Postproduksion Audio: Mersin Imeraj
Arkiva: Dorina Ethemaj
Grafika: Grejsi Shehu
Promocioni: Bledi Linza
Kryeredaktor: Elert Yzeiri
Ky material u prodhua me mbështetjen financiare të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Përmbajtja e saj është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe të Partnerëve.