
Nisja e një legjislature të re nuk duket të ketë zbehur synimet e vjetra të qeverisë sa i takon qasjes me median online. Në tryezën e organizuar nga OSBE-ja me temë "Media në Europën Juglindore", Edi Rama e tregoi që në fillim se çfarë relatash ka me median duke lënë të kuptohet se nisma anti-shpifje e rrëzuar edhe nga Venecia, vijon të qarkullojë në mendjen e tij.
“Më duhet të pranoj se nuk jam saktësisht njeriu i duhur për t'u thirrur në këto lloj takimesh. Unë dëgjoj në mënyrë të qartë e të fortë lidhur me të ashtuquajturin vetërregullim, por nuk jam i sigurt se vetërregullimi është përgjigjja”, tha Rama.
Kryeministri zgjodhi ta tregojë me shembuj problematikën që ka mospasja e një ligji rregullues për median online duke treguar vetëm një anë të medaljes. “Kur përpiqesh të parafytyrosh se çfarë do të kishte bërë makineria propagandistike naziste me këtë liri është tronditëse, deri te pedofilia e të gjitha sëmundjet e shoqërisë moderne”.
Në fjalën e tij, Edi Rama nuk përmendi qëndrimet kritikuese të Komisionit të Venecias të cilat ndër rreshta u thanë nga Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias. “Aftësia e gazetarëve për të zhvilluar punën e tyre kërcënohen nga një sërë sfidash të reja e të vjetra që përsëriten, që i kanë vënë gazetarët në një pozicion më problematik”, tha Teresa Ribeiro.
Të njëjtën linjë kishte edhe kreu i prezencës së OSBE-së në Tiranë, Vincenzo Del Monaco, i cili nënvizoi se vija ndarëse ndërmjet rregullimit dhe vetërregullimit është thelbësore në funksionimin e medias. (A2 Televizion)