Vaksinimi masiv i studentëve, në universitete mungojnë stendat

Nga kjo e hënë në të gjithë vendin nis një fushatë e re vaksinimi. Autoritetet shëndetësore kanë sfidë të radhës që për një javë të vaksinojnë studentët, pas vendimit për shtyrjen e nisjes së vitit të ri akademik. Nga një vëzhgim që A2 kreu në disa prej universiteteve në kryeqytet, rezulton se nuk ka asnjë staf të vendosur në këto godina.

Në Fakultetin Filologjik burime thanë se stendat do të vijnë ditën e martë rreth orës 09:30, i njëjti konstatim edhe te Fakulteti e Shkencave të Natyrës. Pranë Fakultetit të Ekonomisë, tavolinat janë, por mungojnë stafet e vaksinimit.

Te Politekniku pritej mbërritja e stendave, por ende nuk ka nisur puna. Më 18 tetor, është planifikuar nisja e vitit të ri akademik, por duket se Fakultetet nuk janë ende gati me strukturë për vaksinimin e  studentëve.