Zbardhen debatet në mbledhjen e kryesisë së grupit PD, Basha i kërkon sqarime Bylykbashit për akuzat e pazarit me Ramën

Në fundjave demokratët u trazuan nga një postim i anëtarit të kryesisë Oerd Bylykbashi mbi atë që ai e quajti pazar që kryeministri Rama i ofron PD-së, për zgjatjen e afatit të vetingut, në këmbim të ndarjes territoriale. Gjatë kryesisë së grupit parlamentar kreu demokrat Basha e ka pyetur nënkryetarin e Komisionit të Ligjeve, nëse ka pasur ofertë për çështjen e vetingut dhe nëse është në dijeni që dikujt në parti i është bërë një propozim i tillë. Bylykbashi i ka kërkuar kryetarit Basha të tërheqë insinuata të tilla. “Unë kam thënë Rama ofron pazar, nuk kam thënë që ka marrëveshje me PD”, tha Bylykbashi, duke shprehur habi për atë që e quajti sulm të ulët të ”baterive” të partisë ndaj tij. “Unë kam thënë në grup, ne na duhet sistemi zgjedhor, reforma zgjedhore, reforma territoriale dhe pastaj vetingu’’, ishte përgjigjja e Bylykbashit ndaj kreut demokrat, duke theksuar se nëse do të pranohej oferta e Ramës do të ishte thikë pas shpine për demokratët. Basha mohoi një situatë të tillë dhe porositi që të refuzohet çdo ide se është ofruar pazar i ndarjes territoriale për vetingun. Ai tha se prioriteti i tij si kryetar opozite është vetëm një: Largimi i qeverisë Rama.

Pjesë nga debati në PD

“Oerd ke ti ofertë për çështjen e vetingut?”, e ka pyetur në mbledhje Basha nënkryetarin e Komisionit të Ligjeve. Bylykbashi i ka kërkuar kryetarit Basha të tërheqë insinuata të tilla, duke theksuar se ka përsëritur një qëndrim që e ka thënë në grup parlamentar, para dy javësh.

“Unë e kisha për Ramën atë postim. Qëndrimi im është në parim. Duhet të ishte këtu kryetari i grupit i ngarkuar për vetingun, i cili më ka kontaktuar mua ditën e enjte dhe i kam thënë kujdes se nuk është interesi ynë. Rama e di shumë mirë çfarë do, se e thotë në publik. Unë kam thënë Rama ofron Pazar, nuk kam thënë që ka marrëveshje PD-ja. Unë ta kam thënë në grup, ne na duhet sistemi zgjedhor, reforma zgjedhore, reforma territoriale dhe pastaj vetingu. Unë e kam thënë publikisht, ne na duhet nje strategji për të gjitha reformat”, është shprehur Bylykbashi, duke shprehur habi për sulmin nga radhët e PD-së.

“Bateritë e partisë u turrën ndaj meje, është një reagim i ulët nga Partia Demokratike ndaj meje. 

Lulzim Basha: A di ti Oerd nëse dikush në parti ka marrë një propozim që më jep një vetingun, të të jap reformën territoriale?

Oerd Bylykbashi: Nëse ndodh kryetar, është një thikë pas shpine për demokratët. Është pazar i ofruar publikisht.

Oerd Bylykbashi: Aq sa kam thënë, nuk ndryshon. Po të them këtë gjë, po e pranove do të dëmtosh demokratët. Nëse për vetingun merr sistemin zgjedhor, mua më ke nga pas.

Lulzim Basha: Refuzoni çdo ide se na qenka ofruar pazar i ndarjes territoriale për vetingun, se ështe një dëm që u bëhet demokratëve.

Oerd Bylykbashi: Po ndodhi kjo, dëmtohen demokratët. Qëllimi im është që të frenoj Edi Ramën, që mos të vazhdojë këtë histori.

Flamur Noka-Bashës: Na thuaj cilin ke prioritet, sistemin, reformën zgjedhore apo territoriale.

Lulzim Basha: Prioriteti im është vetëm një. Largimi një orë e më parë i qeverisë Rama. Unë i kam ngarkuar detyra lidershipit të partisë për secilën reformë.

Flamur Noka: Po t’i referohemi demokracisë gjermane, dha dorëheqjen ai në Gjermani. Po t’i referohemi demokracisë gjermane, t’i duhet të kishe dhënë dorëheqjen dhe të kishe ikur. 

Lulzim Basha: Dëgjoj akuza ordinere që po i bëj presione bazës. Qeverisja 8-vjeçare e PD-së ka pasur pjesën e vet të mirë dhe ka pasur edhe llumin.