Alimehmeti forum me studentët, informacione për vaksinën dhe dyshimet për efektet afatgjata

Ilir Alimehmeti  është një nga epidemiologët që ka nisur diskutimet me studentët për vaksinimin para nisjes së vitit akademik. Ndryshe nga studentët e mjekësisë që nuk kanë hezituar për të marrë dozat anti-Covid,  Alimehmeti pranon ngurimin e të rinjve në universitetet e tjera për shkak të mungesës së informacionit, por dhe frikës nga efektet afatgjata.

Për një javë, ekspertët e Shëndetësisë me mbështetjen e OBSH-së do të zhvillojnë bisedime me studentët në auditorë në lidhje me vaksinën anti-Covid.

Por Alimehmeti rekomandon që për hyrjen në universitete krahas certifikatës së vaksinimit duhet të njihet edhe ajo e antitrupave për ata të rinj që kanë kaluar sëmundjen.

Ndërsa në lidhje me situatën epidemiologjike, Alimehmeti thotë se vala e infektimeve ka rënë dhe kjo pritet të reflektohet pas disa javësh edhe në spitale. Ndërsa për muajt e dimrit eksperti nuk parashikon valë të forta, por një situatë më të qëndrueshme se ato që kemi kaluar.

Ditët e fundit janë ulur infektimet ditore nga Covid -19, ndërsa  fushata e vaksinimit është përqëndruar në universitete.

Pas disa ditësh, nis zyrtarisht viti akademik dhe studentët e pavaksinuar rrezikojnë të humbin shkollën.