Basha e shkarkoi nga pozicioni si nënkryetar i Komisionit të Sigurisë, Flamur Noka: Nuk më shqetëson ky vendim

noka PD 1100x620

Jo vetëm shkarkim nga pozicioni i nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë, por edhe paralajmërim për përjashtim nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike për Flamur Nokën.

A2 ka mësuar se ka qenë vetë kreu i PD-së, Lulzim Basha, që i ka komunikuar vendimin Nokës, për të cilin pati edhe një reagim zyrtar nga zyra e shtypit e partisë më të madhe opozitare, ku bëheshin të ditura edhe arsyet e vendimit.

“Arsyeja e këtij vendimi është shndërrimi i mbledhjes së Kryesisë së Grupit në laborator të prodhimit të gënjeshtrave për të baltosur Kryetarin dhe Partinë Demokratike, duke sajuar diskutime apo qëndrime, të pathëna dhe të paqena. Këto shpifje dhe sajesa të herëpashershme dhe të përsëritura, dëmtojnë interesin e Partisë Demokratike dhe të demokratëve, duke shfokusuar vëmendjen e betejës së opozitës ndaj të vetmit kundërshtar që është armiku i Shqipërisë dhe shqiptarëve Edi Rama”.

Ndërkohë, për këtë vendim, deputeti Noka ka reaguar për A2 CNN, duke thënë se nuk është aspak i shqetësuar. “Dua të iki. Nuk më shqetëson ky vendim, pasi është antistatutor. Askush nuk më ndal të mbroj parimet e PD-së dhe do vazhdoj ta bëj”, është shprehur Noka.