Berisha nga Kukësi, mesazh Vuçiçit: Përgatitu Sllobodan, do të ndëshkoheni për krimet në Kosovë dhe Shqipëri

Nga Kukësi ku po zhvillon foltoren e radhës me qytetarët e këtij qarku, ish-kryeministri Sali Berisha i çoi mesazh kryeministrit Edi Rama, por edhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç. Këtë të fundit e paralajmëroi të përgatitet për ndëshkim për të gjitha krimet që vendi i tij ka kryer në Kosovë e Shqipëri, për të cilat tha se janë të dokumentuara. Duke e konsideruar Ramën, vasal të Beogradit ai e akuzoi atë se në këto 8 vite nuk ka ndjekur nismën e Berlinit, por të Beogradit, që sipas tij, është armiqësi e hapur me Kosovën.

“Që nga Enver Hoxha deri më sot shqiptarët nuk kanë patur kurrë një kryeministër më antinjerëzor e antikombëtar si Rama. Ky nis mandatin e tretë pasi është shndërruar në vasal të verbër të Beogradit. Një vit më parë refuzoi të votonte rezolutën që dënonte gjenocidin serb në Kosovë se e urdhëronte padroni i tij Vuçiç. Garantoj qytetarët e Lumës dhe dua ti çoj mesazh Sllobodanit të ri që do të njihet i gjithë gjenocidi serb ndaj shqiptarëve nga 1970 deri në 1999, përfshirë gjenocidin e Lumës, më të egrin të luftës ballkanike i dokumentuar. Përgatitu Sllovodan se jo vetëm për krimet në Kosovë edhe në Shqipëri do të ndëshkojnë Serbinë për krimet e shëmtuara. Nëse ne do të ngremë zërin do të dënojmë gjenocidin, e bëjmë këtë si kusht i të gjitha kushteve që Ballkani të ketë paqe. Edi Rama në këto 8 vite në vend që të ndjekë nismën e Berlinit që e udhëheq Gjermania, ndoqi nismën e Beogradit. Edi Rama nisma e Beogradit është vasalitet, është armiqësi për Kosovën dhe rrethim i hapur ndaj Kosovës. Ndaj dhe kohërat janë kritike dhe vendimtare”.