“Dilni jashtë!”. Tensione në komisionin për siguri në Kosovë, përplasje e ashpër mes kryetarit dhe ministrit

Tensione të larta në Komisionin për Çështje të Sigurisë të Kuvendit të Kosovës. Për të raportuar lidhur me sigurinë në Veri të vendit, ishin thirrur ministri i Brendshëm, Xhelal Svelça, dhe drejtori i policisë, Samedin Mehmeti. Prezenca e tyre në të njëjtën kohë, shkaktoi reagimin e ashpër të kryetarit të komisionit, Bekë Berisha.

“Pse keni ardhur bashkë, unë iu kam ftuar që të vini ndaras”, tha Berisha, duke i kërkuar ministrit që të largohet, gjë e cila u pranua nga Svelça, por ai mori me vete dhe anëtarët e komisionit të Lëvizjes Vetëvendosje.

Megjithatë, Svelça u kthye sërish në Komisionin për Çështje të Sigurisë ku deklaroi se çfarë ishte e gatshme të bënte policia e Kosovës për të hequr barrikadat në Jarinjë dhe Bërnjak, të vendosura nga banorët serbë për të kundërshtuar reciprocitetin për targat. “Po e them për herë të parë, ne kemi qenë te përgatitur që edhe fizikisht të largojmë barrikadat. Ka qenë çështje e vlerësimit operacional nga policia dhe politik nga qeveria që të zgjidhet rruga më e mirë e mundshme për largimin e barrikadave, nuk ka pasur asnjë ngërç në përgatitjen logjistike”.

Në Komisionin për Çështje të Sigurisë raportoi dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, i cili mohoi që pjesëtarët e njësisë speciale të jenë bllokuar nga serbët në veri. Madje konfirmoi që qarkullimi i policisë nuk është ndaluar për asnjë moment. E vetmja vështirësi e konfirmuar ishte ajo e komunikimit mes njësive pasi radiot e policisë punonin me vështirësi në veri të Kosovës dhe për këtë arsye janë përdorur mënyra alternative.