Gjithçka gati për “Foltoren” e Berishës në Kukës

Turi i Sali Berishës nëpër Shqipëri për të folur me mbështetësit dhe anëtarët e Partisë Demokratike për të ardhmen e kësaj force politike vijon këtë të martë në Kukës.

Simpatizantë të shumtë janë parë rreth godinës së Pallatit të Kulturës në Kukës, ndërsa një grup muzikantësh me daulle ka dalë për të përshëndetur ish-kryeministrin. Në Kukës u pa edhe deputeti Flamur Noka, i cili u përjashtua nga Basha nga komisioni parlamentar i sigurisë kombëtare, dhe u paralajmërua për përjashtim edhe nga grupi parlamentar, për qëndrimet publike që Noka ka mbajtur.

Berisha ka lënë të hapur mundësinë për rikthimin në krye të PD dhe kërkon të mbledhë firmat që nevojiten për të thërritur Kuvendin Kombëtar, ku do të kërkohet shkarkimi i kryetarit Basha.

Ky i fundit e përjashtoi Berishën nga grupi parlamentar i PD, pas këmbënguljes së ambasadores amerikane Yuri Kim, si reagim për shpalljen “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit.