Konkluzionet e FMN: Ndërprisni ndryshimin e buxhetin e shtetit me akte normative

Tani është koha për të menduar seriozisht për menaxhimin e financave publike. Pa shpenzime ambicioze, pa ndryshime arbitrare në buxhet dhe me një kontroll më të rreptë mbi PPP-të, por edhe ndërmarrjet publike të ujësjellësit dhe energjisë.

Në mbyllje të misionit të radhës në Tiranë, Fondi Monetar Ndërkombëtar shprehet se pas tejkalimit me sukses të krizës së shkaktuar nga pandemia, qeveria shqiptare duhet t’i rikthehet një plani të besueshëm për të rritur të ardhurat dhe për të ulur borxhin.

“Duhet rritur cilësia dhe transparenca në shpenzimet publike. Duhet të moderohen investimet tejet ambicioze që nuk kanë lidhje me tërmetin dhe financohen nga buxheti. Forcimi i besueshmërisë së buxhetit do të ndihmë ruajtën e besimit në treg dhe të mbajë të ulura kostot e huamarrjes. Ndryshimet që lidhen me ligjin e buxhetit duhet të bëhet përmes procedurave normale të parlamentit dhe përdorimi i akteve normative për të ndryshuar buxhetin brenda vitit, përveç rrethanave emergjente, duhet të ndërpritet”, tha përfaqësuesja e FMN, Yan Sun.

Në përgjigje, Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj zbuloi se po punohet për heqjen e disa lehtësive fiskale që nuk kanë prodhuar rezultatin e pritur, argument ku mbështetet edhe qëndrimi kundër propozimit të Partisë Demokratike për uljen e TVSH së ushqimeve në 6%.

FMN përsëriti gjithashtu qëndrimin kundër amnistisë fiskale, ndërsa cilësoi reformën në drejtësi dhe rritjen e transparencës së qeverisë si prioritet për të ardhmen.

Këtë vit Fondi Monetar parashikon një rritje ekonomike prej 7.8% për Shqipërinë, disi më të lartë se pritshmëritë e qeverisë. Ndërsa për dy vitet në vijim, FMN sheh një perspektivë disi më të zymtë me një rritje që nuk tejkalon nivelin e 3.8%.