Shkarkimi i Nokës, reagon Basha: Nuk do të lejoj askënd që t’i bjerë me shkelm sakrificës së demokratëve

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një deklaratë për mediat pas takimit me ministren britanike për Evropën, u shpreh në lidhje me shkarkimin e Flamur Nokës se nuk do të lejojë që PD-ja të kthehet në bunker për interesa personale.

“Zotit Noka i kam kërkuar shkarkimin nga detyra si zv/kreu i Komisionit të Sigurisë sepse nuk mundet që PD-ja, e cila ka armik Edi Ramën, të mbahet peng nga sajesa dhe keqinformime, duke u penguar nga lufta jonë për të thërrmuar themelet e regjimit Rama-Doshi-Rakipi”, tha Basha.

“Çdo përçarje i shërben Edi Ramës dhe regjimit të tij, që përbëhet edhe nga oligarkë dhe pronarë mediash. Këta janë llumi i tranzicionit. Beteja ime në krye të PD-së është me ta dhe këtu kërkohet vëmendje dhe mençuri. Edhe në kohën e qeverisë së PD-së ka pasur llum, njerëz që sot kanë kontrata me koncesionet e inceneratorëve, njerëz që janë të shantazhueshëm nga Edi Rama për t’i shërbyer atij. PD-ja është shpresa e vetme e këtij vendi, ky është moment thelbësor ndryshimi. Kushdo që mendon se do ta kthejë partinë në bunker për interesat personale, e ka shumë gabim. Nuk do të lejoj asgjë dhe askënd që t’i bjerë me shkelm sakrificës së demokratëve”, shtoi Basha.