Superman shfaqet si biseksual

Që prej daljes në librat e parë vizatimorë 80 vite më parë, Superman ka bërë shumë gjëra. Ka shpëtuar botën disa herë. Ka vdekur dhe është rikthyer në jetë. Ka shmangur grushtet e Muhammad Ali dhe madje është përballur edhe me supremacistët e bardhë.

Deri këtë vit, ai gjithmonë është portretizuar si i dashuruar me Lois Lane. Por në serinë e re që del së spejti, Superman futet në një marrëdhënie intime me një djalë. Në fakt, bëhet fjalë për djalin e Clark Kent dhe Lane, Jon Kent, i cili përveç se vesh petkun e babait si superheroi që mbron të dobëtit, bie në dashuri me gazetarin Jay Nakamura.

Edhe pse seria e re e librave del në nëntor, janë publikuar disa foto të Jon Kent duke u puthur me partnerin e tij. Autori i serisë, Tom Taylor, thotë se evoluimi i Superman është bërë duke ruajtur vlerat që ai ka përfaqësuar gjithmonë, por pasqyron edhe përvojën e shumë fansave të tij. “Superman gjithmonë ka qenë simbol i shpresës, të vërtetës dhe drejtësisë”, tha Taylor. “Sot, akoma më shumë njerëz e shohin veten te superheroi i fuqishëm”.

Në botën e librave vizatimorë, Superman nuk është i vetmi personazh me prirje homoseksuale. Robin, ndihmësi i ngushtë i Batman, shfaqet në një episod ku pranon ftesën e një mashkulli për takim, ndërsa Batwoman krijon një lidhje dashurie me një femër tjetër, sikurse Harley Quinn braktis Joker për t’u lidhur me Poison Ivy.