Të gjesh thesar në mes të shkretëtirës

Herë pas here, dikush gjen një makinë sportive të harruar në ndonjë garazh të pistë ose në mes të ndonjë fushe, në qiell të hapur.

Por, është shumë e rrallë që të gjesh një koleksion të tërë makinash sportive të braktisura në mes të shkretëtirës. Pikërisht kjo gjë i ndodhi përpara disa ditësh një producenti televiziv amerikan, Steve Rhodes, ndërkohë që po punonte për një projekt në Kaliforni.

Rhodes po kërkonte vendin e duhur për xhirimet e sezonit të katërt të serialit “Westworld”, kur pa një varrezë makinash Porsche, mes kodrave të Moorpark. Ishin plot 13 makina të rrethuara nga pemë dhe barishte, të gjitha i njëjti model: Porsche 928.   

Kjo makinë është prezantuar për herë të parë në Sallonin e Gjenevës, në vitin 1977, si makina sportive që do të zëvendësonte Porsche 911.

Siç shpjegoi Rhodes në Facebook, pronari i makinave ishte mik i personit që ka tokën dhe i kishte kërkuar që ta linte aty koleksionin e tij me Porsche. Por, nuk u kthye kurrë më për t’i marrë makinat.