Vaksinimi i studentëve, interes i ulët në universitetet e rretheve

Në ditën e dytë të javës së vaksinimit masiv të studentëve, interesi i këtyre të fundit për të marrë vaksinat anti-Covid vijon të jetë i ulët. Në Universitetin e Elbasanit, “Aleksandër Xhuvani”, nga 6 mijë studentë që ka ky universitet në dy ditët e para të fushatës së vaksinimit, janë paraqitur vetëm 20 studentë. Ndërsa rektorati shpreson që një pjesë e studentëve të jenë vaksinuar në qendrat e tyre të vaksinimit pranë qendrave të banimit.

Thuajse e njëjta situatë paraqitet edhe në universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër. Edhe aty, në dy ditët e para të fushatës së vaksinimit ka pasur interes të ulët. Ndërsa të dhënat nga qendra e vaksinimit pranë drejtorisë së shëndetit publik në Shkodër tregojnë se në total rezultojnë të vaksinuar vetëm 100 studentë, një shifër kjo mjaft e ulët krahasuar me numrin total.

Akoma më keq paraqitet situata në qendrat e vaksinimit në Universitetin “Eqerem Çabej” në Gjirokastër. Gjatë ditës së parë në këtë universitet nuk ishte paraqitur për t’u vaksinuar asnjë student. Ndërsa gjatë ditës së dytë, interesimi është cilësuar i dobët.

Vetëm në Universitetin e Durrësit, ku mesditën e kësaj të marte ishte e pranishme ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, u vërejtën studentë që prisnin në radhë për t’u vaksinuar. Por edhe në këtë universitet, të dhënat e dy ditëve të para tregojnë se janë paraqitur për të marrë vaksinën jo më shumë se 15 studentë.