Vlorë, vidhen dosje në zyrat e administrimit të tokës, hajduti doli nga dera kryesore

Një ngjarje e rëndë dhe ende e pazbardhur totalisht ka ndodhur dje në Pallatin e Kulturës në Vlorë, ku gjatë natës një person ka hyrë në zyrat e Qarkut që ndodhet në atë godinë, dhe dyshohet se ka vjedhur disa dosje.

Zyrat e hapura

Hajduti ka marrë dokumente në zyrat e administrimit dhe mbrojtjes së tokës. Ka hyrë në dy zyra dhe ka marrë dokumente në të dyja zyrat. Sipas analizës së dinamikës, Hajduti ka qenë i qartë se çfarë ka dashur, ka hyrë e ka marrë vetëm dokumentacionin që synonte.

Bardhyl Gjika, drejtor i drejtorisë së administrimit dhe mbrojtjes së tokës

“Nga ora 00:15 jam njoftuar se një person ka ardhur me mjete të forta dhe ka hapur zyrat pronave. Unë gjeta rojet. Ne ndërkohë po bëjmë një inventar, edhe pse nuk mund të themi deri tani që janë marrë dosje”, deklaroi Bardhyl Gjika, drejtor i drejtorisë së administrimit dhe mbrojtjes së tokës, që shtoi se “institucioni mbrohet nga roje dhe kamera, sipas dëshmive personi ka hyrë nga dritarja e zyrës së zëdhënësit, dhe ka dalë nga zyra kryesore”.