Zgjatja e afatit të vettingut: Politika “trembet” nga pazari, partitë mohojnë negociatat

Politika s’ka nisur ende kontaktet ndër partiake për të zgjatur afatet e vettingut. Ndonëse Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja kishte deklaruar më herët se kanë nisur bisedimet me opozitën dhe ndërkombëtarët për këtë çështje, situata në terren duket ndryshe.

“Është një çështje tepër teknike tek e cila duhet të rrijë larg”, tha Balla.

I gjendur përpara fjalëve “pazar për vettingun”, kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla mohoi.

“Asnjë llojë pazari në thonjëza, sepse kjo është një çështje që unë e konsideroj një çështje të një rëndësie të veçantë”.

Zgjatja e afatit të vettingut u mbështet publikisht edhe nga ambasadorët e BE-së dhe SHBA-së, por në adresë të PD-së duket se s’ka mbërritur asnjë kërkesë.

“Nuk kemi marrë asnjë propozim nga askush deri tani për vettingun, nuk është diskutuar me asnjë partner dhe në asnjë forum deri tani”, deklaroi Rushaj.

Kreu i grupit demokrat mohoi idenë e një shkëmbi votash mes vettingut dhe reformës territoriale për shtimin e disa bashkive, rrezik për të cilin paralajmëroi partinë e tij edhe Oerd Bylykbashi.

Deklaratat u bënë pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve ku palët nuk gjetën dakordësi për ngritjen e komisionit hetimor mbi çështjen Bechetti, pas kërkesës së Avokaturës së Shtetit që paralajmëroi mbi rrezikun e cenimit të interesave të Shqipërisë.

“Ndërkohë do të rrëzohet komisioni hetimor për të ashtëquajturën çështjen Becchetti”, njoftoi Balla.

“Partia Socialiste barazon interesin e Shqipërisë me interesin e Edi Ramës. Natyrisht ne nuk do ta pranojmë këtë pjesë. Për dy komisionet e tjera, atë mbi zgjedhjet e 25 prillit dhe inceneratorët, palët kanë rënë parimisht dakord, ndërkohë që fjala e fundit i kalon seancës plenare për votim”, deklaroi Rushaj.