Aksioni në Mitrovicë, reagon Kurti: Krimi nuk do të tolerohet. Qytetarët të mos bien pre e mediave serbe

kurti 1100x620

Pas aksionit policor në veri dhe jug të Mitrovicës ka ardhur edhe reagimi i kryeministrit Albin Kurti. Në një postim në rrjetet sociale, ai u bën thirrje qytetarëve në komunën veriore të Mitrovicës që të mos bien pre e mediave në Serbi. Kurti shprehet i vendosur në luftën kundër krimit dhe kontrabandës.

Postimi i Kurtit:

Aksion i Policisë kundër krimit e kontrabandës në Prishtinë, Pejë dhe në veri e jug të Mitrovicës

Herët në mëngjesin e sotëm, Policia e Kosovës, me qëllim të luftimit të kontrabandës ka filluar operacione bastisjeje në disa lokacione të ndryshme në Prishtinë, Pejë e Mitrovicë (si në jug ashtu edhe në veri).

Këto veprime policore janë paraprirë nga hetimet intensive dhe janë me urdhër e të bashkërenduara me prokuroritë dhe gjykatat kompetente. Janë sekuestruar mallra e dëshmi të tjera që paraqesin edhe prova materiale.

Krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen dhe do të luftohen. Kontrabandën do ta luftojmë e do ta parandalojmë.

Aksioni i sotëm policor ka përfunduar. U bëj thirrje qytetarëve në komunën veriore të Mitrovicës që të mos bien pre e disa medieve në Serbi që e mbrojnë krimin, korrupsionin dhe kontrabandën dhe duan ta politizojnë dhe etnizojnë atë.