Dy vjet nga tërmeti, Ahmetaj: Nga 25 nëntori nis shpërndarja e banesave për të dëmtuarit

Dy vjet pas tërmetit tragjik të 25 nëntorit, qytetarët do të mund të hyjnë në banesat e tyre. Vendimi u mor në mbledhjen e sotme të qeverisë dhe u publikua nga zv.kryeministri dhe ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj. Ai njoftoi se shpërndarja do të bëhet sipas listës prioritare për disa kategori, ndërsa për qytetarët e tjerë, procesi do të jetë nëpërmjet shortit publik transparent.

“Një vendim tejet i rëndësishëm për qytetarët në 11 bashkitë e dëmtuara nga tërmeti që ka të bëjë me mënyrën e shpërndarjes së njësive individuale dhe apartamenteve duke filluar 25 nëntori një mënyrë transparente, pasi kalon lista prioritare në bazë të ligjit që ka të bëjë me disa kategori si; familjet në nevojë, familje me ndihmë ekonomike, nëna e pensionistë të vetmuar, familjet e policëve të vrarë dhe mënyra do të shpërndahen me short publik transparent. Qytetarët do të jenë përballë shortit publik ku do të përputhet vlerësimi me apartamentet, familjet përballë një procesi transparent dhe publik”.

Për këtë proces, qeveria i akordoi sot fonde Bashkisë së Tiranës për përshpejtimin e Rindërtimit te 5 maji dhe në Kombinat.

Një vendim tjetër ishte dhe ai i shpronësimit me këmbim në Bashkinë e Vorës për procesin e rindërtimit.