Ndalja e tkurrjes, mbështetje çifteve e reja e përkujdesje familjeve ekzistuese

Politika lehtësuese dhe mbështetje financiare për çiftet e reja si dhe përkujdesje të vazhdueshme ndaj familjeve, tashmë të konsoliduara. Është kjo ajo çka studiues të ekonomisë dhe jetës sociale në vend sugjerojnë, me qëllim që të frenohet tkurrja e familjeve shqiptare.

Në fakt, nisma të ngjashme parashikon edhe qeveria në 4 vitet e ardhshme. Sipas programit, familjeve të reja do t’u ofrohet 1 milion lekë mbështetje për pagesën fillestare dhe zbutjen e interesit për blerjen e shtëpisë, ndërsa atyre të konsoliduara do u shpërndahen 2 mijë banesa sociale çdo vit.

Por, a janë këto politika të mjaftueshme dhe çfarë duhet bërë për të inkurajuar krijimin e familjeve të reja dhe mbajtjen të pacenuar të atyre ekzistuese? Studiuesja Dorela Beqaj shprehet: “Politika e qeverisë është e nevojshme, por jo e mjaftueshme. Ky është problem afatgjatë social dhe ekonomik, që nuk mund të zgjidhet vetëm me një vendimmarrje. Kemi të bëjmë me një problem të standardit të jetesës dhe tendenca për të mos krijuar familje, lidhet me këtë faktor”.

Për eksperten e ekonomisë Elona Shehu, e rëndësishme mbetet shtrirja e mbështetjes ndaj familjeve edhe në periferi të vendit.

Hendeku i krijuar nga pasiguritë ekonomike, thelluar edhe më tej nga pandemia si dhe mungesa e politikave lehtësuese shpesh bëhen shkak për moskrijimin e familjeve të reja apo shkatërrimin e atyre ekzistuese.