Paralajmërimi i ISHP: Stadiumi plot pritet të sjellë shtim të infektimeve me Covid

Stadiumi i mbushur plot në ndeshjen ndërkombëtare të futbollit mes Shqipërisë dhe Polonisë, mund të bëhet shkak për rritje të numrit të të infektuarve me Covid 19.

Paralajmërimin e ka bërë Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico gjatë bashkëbisedimit në universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, në kuadër të turit për të sqaruar dhe informuar studentët për të kryer vaksinimin para nisjes së procesit akademik, 2021-2022.

Ndërkohë, sipas epidemiologut Ilir Alimehmeti, pjesë e panelit të bashkëbisedimit me studentët, koha prej një javë për vaksinimin e studentëve është e pamjaftueshme, ndërsa ka deklaruar se edhe ata që kanë krijuar imunitet natyral pas infektimit me covid, janë të mbrojtur si ata me vaksinë.

Sipas udhëzimit të ndryshuar të qeverisë për marrjen e masave kundër Covid në institucionet arsimore, është vendosur si kusht që studentët që do të futen në auditore duhet të paraqesin certifikatën ose kartën e vaksinimit.