Shtrenjtohen biletat e autobusëve në Korçë, udhëtarët të pakënaqur

Tanimë udhëtarët duhet të paguajnë 50 lekë të reja më shumë nëse udhëtojnë nga Korça drejt Bilishtit ose drejt Ersekës. Korça është nga qytetet e para që po reflekton rritjen e çmimeve të karburantit në rritjen e çmimit të biletave të transportit ndërqytetës.

Qytetarët shprehen se njerëzit duhet të protestojnë edhe në Korçë njësoj si në Tiranë, kundër rritjes së çmimeve.

Duket se përballë këtij fenomeni edhe bashkitë respektive ngrenë duart lart, pasi nuk kanë ngritur task forca për kontrollin e çmimit, ndërsa Policia Tatimore, e cila ishte e instaluar pranë Drejtorive Rajonale të Tatimeve prej 2016-s është zhvendosur në Tiranë dhe nuk bën më kontrolle për të ruajtur konsumatorin nga rritja abuzive e çmimeve.