“Të hapin krahun se e bën dikush tjetër”, Daci për anëtarët e SPAK: Shqipëria ka sakrifikuar për ta, tani është radha e tyre

Avokati Jordan Daci, tha se mungesa e sigurisë nuk mund të jetë alibi për një hetues të BKH apo prokuror të SPAK që të mos bëjë detyrën.

“Nëse ndihen të pafuqishëm, të hapin krahun dhe të thonë “nuk e bëjmë dot këtë punë”, dhe ta bëjnë të tjerët. Janë më të mbrojturat e më të trajtuarat se kushdo tjetër. Sigurisht që s’ka mbrojtje perfekte, por është një rrezik me të cilin duhet të bashkëjetojnë. Ata që nuk duan të bashkëjetojnë bën një zgjedhje tjetër. Por mungesa e sigurisë nuk bën që dikush të mos bëjë detyrën. Nëse nuk ndihesh i aftë më mirë hiq dorë sesa të vazhdosh”, u shpreh Daci në studion e emisionit “Debat” në A2 CNN.

Ai shtoi se trajtimi financiar për këtë kategori është më i privilegjuar se gjithë të tjerat. “Më shumë se kaq Shqipëria nuk ka çfarë të bëjë. Shqipëria ka sakrifikuar në maksimum, që atyre t’u krijohen këto kushte. Tani ata duhet të sakrifikojnë që ta justifikojnë”, tha ai.