Debati për komisionin hetimor, juristët: Kuvendi është i detyruar t’i miratojë

Ngritja e komisionit hetimor “Becchetti” duket molla e radhës ku do të grindet Partia Demokratike me Partinë Socialiste. Mazhoranca pritet të zbatojë vendimin politik duke dhënë votat e saj kundër, çka pamundëson hetimin parlamentar për gjyqin e humbur në arbitrazh me vlerë 120 milionë euro. Por për konstitucionalistët Sokol Hazizaj duket i pabazuar në ligj.

“Nuk ka asnjë lloj dileme nëse duhet ngritur apo jo një komision hetimor. Dhe detyrimi i shumicës së thjeshtë së kuvendit është që të ngrejë komisionin hetimor”, thotë Hazizaj për A2 CNN.

Argumenti i shumicës parlamentare është një shkresë e Avokaturës së Shtetit e cila nënvizoj se çështja është ende në proces dhe mund të dëmtohen interesat e shtetit shqiptar. “Është një argument i cili si i tillë nuk arrin dot për mua që të kapërcejë dhe të diskutojë mosdakordësinë për të marrë një vendim të tillë”, thotë Kristaq Kume. “Marrja e një opinioni të tillë dhe ruajta e rezervës për ta quajtur këtë opinion në karakterin ligjor përbën një deformim të tmerrshëm të raporteve ndërmjet institucioneve në Shqipëri. Do të thotë se sistemi parlamentar në Shqipëri ka humbur vlerën e vet”, thotë Hazizaj.

Konstitucionalistët nuk ndajnë të njëjtin qëndrim sa i takon vlefshmërisë së komisioneve parlamentare. “Unë mendoj që shpeshherë ngritja e komisioneve hetimore shërben si një motiv politik për t’i hedhur njerëzve një pëlhurë që ne po punojmë politikisht për të zbuluar të vërtetën në një gjë”, thotë Hazizaj. “Presim që të jetë ndryshe nga ajo siç ka ndodhur me këto komisione për të cilët jo rrallëherë ka pasur vend shprehja, do të mbyllësh një çështje, çoje në një komision në parlament”, thotë Kume.

Socialistët kanë dhënë dakordësinë për dy komisione hetimore, atë për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit dhe inceneratorët.