”Green pass’’ me detyrim, Italia në ankth për 15 tetorin, paralajmërohen greva e protesta

Italia në alarm, për atë që mund të rezultojë një e premte e zezë. Numërimi mbrapsht ka nisur tashmë për 15 tetorin kur certifikata shëndetësore, apo “green pass” do të bëhet e detyrueshme për miliona punonjës, në sektorin publik e privat.

Vendi kërcënohet nga kaosi, ndërsa punonjësit e porteve kanë paralajmëruar se do të hynjë në grevë të përgjithshme nëse nuk tërhiqet apo shtyhet vendimi, që kushtëzon qasjen në punë me dëshminë e vaksinës apo testit negativ të Covid-19. 

Megjithatë zëra nga përfaqësuesit e punonjësve portuale, pohojnë se janë të gatshëm të negociojnë dhe se mund të pranonin edhe një shtyrje të masës deri në fund të tetorit.

Sakaq, kryeministri Mario Draghi ka zhvilluar takime me krerë të sindikatave, që kërkojnë ulje të çmimit të tamponëve. Kjo do të lejonte kompanitë të merrnin përsipër kostot e testimit të punonjësve që nuk janë të vaksinuar.

Qeveria e Mario Draghit miratoi në mesin e shtatorit disa prej masave më strikte kundër koronavirusit në botë duke e bërë të detyrueshme për të gjithë punonjësit të tregojnë provën e vaksinimit, testit negative dhe shërimit nga sëmundja.

Mbi 80 për qind e italianëve mbi 12 vjeç janë të vaksinuar e megjithatë, në prag të skadimit të afatit më 15 tetorit, nxitja e skeptikëve për t’u vaksinuar nuk është materializuar siç shpresohej.