Harta e re gjyqësore, ndërkombëtarët kundër 1 Apeli të vetëm, shkrirja të bëhet me faza

Propozimi i KLGJ për shkrirje të gjashtë gjykatave të Apelit në një të vetme, për llogari të hartës së re gjyqësore, vlerësohet si mundësia më pak e dëshirueshme nga partnerët ndërkombëtarë që ndihmojnë drejtësinë në vend.

Gjatë procesit të diskutimit mbi hartën, misioni Euralius ka hartuar dhe një studim fizibiliteti për mundësinë e përqendrimit të Apelit në një gjykatë në Tiranë. Burime pranë Ministrisë së Drejtësisë, konfirmuan se ky studim thekson problematikën e mungesës së godinës, në rastin e bashkimi, si edhe disavantazhet për sa i përket aksesit në drejtësi për shkak të distancës dhe kohës së udhëtimit drejt Tiranës.

Problematik konsiderohet edhe transportimi i të burgosurve nga burgjet në rrethe. Në raportin e mbajtur është analizuar dhe mundësia e organizimit të seancave në distancë, për personat që nuk mund të udhëtojnë drejt Tiranës, por nevojitet kosto e lartë për këtë proces. E pa vlerë nga ndërkombëtarët është gjykuar edhe mundësia e udhëtimit të gjyqtarëve, pasi do t’u shkaktonte atyre humbje kohe duke ndikuar në numrin e çështjeve.

Si përfundim, bazuar në studimin e fizibilitetit, për ndërkombëtarët kalimi nga gjashtë gjykata Apeli në një të vetme paraqet sfida të mëdha dhe vlerësohet me e arsyeshme ndarja e këtij procesi në disa faza, për të parë ndikimin e këtij ndryshimi. Në këtë mënyrë, bashkimi i menjëhershëm i gjykata të apelit është opsioni më pak i dëshirueshëm dhe me pasoja të mëdha negative. Ndërsa dy opsionet e tjera ku bashkimi të bëhet në mënyrë graduale janë të realizueshme, por paraqesin problematika sa i përket aksesit në drejtësi dhe eficencës. Kundër shkrirjes së gjashtë gjykatave të Apelit në një të vetme është edhe Ministria e Drejtësisë, ndërkohë që për shkak të mosdakordësisë mes saj dhe KLGJ ende nuk ka një variant final për hartën e re gjyqësore.