Incidentet në ndeshjen ndaj Polonisë, FSHF: Ngjarjet janë pasojë e një provokimi të vazhdueshëm nga ana e tifozëve polakë

shishet 600x338

Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka reaguar për incidentet që ndodhën në ndeshjen Shqipëri-Poloni, kur menjëherë pas golit të miqve, në fushën e lojës u hodhën dhjetëra shishe uji.

FSHF shprehet se këto janë “incidente që nuk na nderojnë aspak ne, Shqipërinë dhe tifozët e saj të mrekullueshëm”. Gjithashtu, shton se “kishim 22 mijë tifozë të shkëlqyer dhe vetëm dhjetëra individë na njollosin gjithçka të mirë që skuadra ka bërë deri më tani”.

Por, më tej, FSHF nënvizon se ajo që ndodhi ishte pasojë e “provokimit të vazhdueshëm” të tifozëve polakë.

“Një gjë është shumë e qartë: Ne nuk kemi tifozë të dhunshëm, nuk kemi një historik të tifozëve problematik, përkundrazi sjellja e shkëlqyer dhe mbështetja që tifozët tanë japin në ndeshjet dhe jashtë fushe është bërë objekt krenarie për ne. Ngjarjet janë pasojë e një provokimi të vazhdueshëm, dhe një sjelljeje shumë agresive nga ana e tifozëve polakë që kanë goditur për gati 2 orë tifozët tanë në dy tribuna. Tifozët polak njihen për të tilla sjellje dhe prej ditësh të gjithë autoritetet e përfshira në ndeshje kanë bërë maksimumin për të parandaluar ngjarje më të rënda. Nuk duhet të harrojmë se në të njëjtën orë me ndeshjen tonë në “Air Albania” Stadium, tifozë polak kanë qenë në Wembley në ndeshjen Angli-Hungari dhe kanë pasur përplasje të shumta me tifozë vendas dhe policinë vendase. Ne nuk i shmangemi përgjegjësive tona, i njohim ato, por duhet të jemi gjithmonë pranë të vërtetës, sepse vetëm ajo na shërben për të ecur para. Në asnjë moment, askush, nuk duhet të drejtojë gishtin e akuzës dhe të shpallë fajtorë, por së bashku duhet të reflektojmë dhe të përmirësojmë punën tonë”, lexohet në deklaratën e FSHF-së.