Patronazhistët, Basha: Sigurimi i ri i shtetit, do t’i gjejë belaja në rrugë. Ahmetaj: Janë zemrat tona të zjarrta, i kërcënoni me grupet e armatosura?

Debati i ndezur në foltoren e Kuvendit përfshiu edhe një debat midis liderit të PD-së, Lulzim Basha dhe zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, mbi temën e patronazhistëve.

Sipas Bashës, “patronazhistët janë sigurimi i ri i shtetit, por me ndryshim që do të kenë një fat të ndryshëm nga sigurimi i shtetit, sado zemër t’i japësh ti, o do tërhiqen, o do t’ i gjej belaja, në gjykata, por edhe në rrugë dhe lagje, sepse këtu nuk do të rikthehet sigurimi”.

Ndërkohë Ahmetaj replikoi në foltore duke i mbështetur ata, madje duke i cilësuar si zemrat e zjarrta të Partisë Socialiste.

“I kërcënuat patronazhistët, por të na vini anash, me çfarë do t’i kërcënoni, me grupet e juaj të armatosur? Ne do të vijojmë të punojmë me patronazhistët për të fituar mandatin tonë të katërt”, u përgjigj zëvendëskryeministri, gjatë një seance ku nuk munguan akuzat dhe tonet e larta midis mazhorancës dhe opozitës”.