Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Përplasja Berisha-Basha, analistët: Demokratët po shfrytëzojnë Foltoren për të larguar kryetarin

Nga A2 CNN
14 Tetor 2021, 14:36 | Politikë
Përplasja Berisha-Basha, analistët: Demokratët po

Vullnetin e shprehur nga Sali Berisha për të rimarrë drejtimin e Partisë Demokratike, analistët Ermal Hasimja dhe Ben Andoni e shohin si një formë presioni ndaj lidershipit aktual të partisë dhe si përpjekje për të larguar vëmendjen nga shpallja e tij “non grata” nga SHBA-ja.

Ata mendojnë se ky aksion i tij po shfrytëzohet nga demokratët për të luftuar Lulzim Bashën. 

“Të gjithë ata që e mbështesin Sali Berishën aktualisht, një pjesë e mirë e mbështesin për t’iu kundërvënë Bashës sesa si një mbështetje e drejtpërdrejtë për Sali Berishën. Nga kjo pikëpamje, ata vetë nuk do të donin që Sali Berisha të bëhej kryetar i PD-së. Berisha, në sytë e të gjithë këtyre njerëzve dhe në planet e tyre është një instrument, armë e fortë për të luftuar Lulzim Bashën”, thotë Hasimja.

Ndërsa Ben Andoni shprehet: “Po shfrytëzojnë rastin për të hequr Bashën”.

Hasimja dhe Andoni ndahen kur vjen fjala për mënyrën që Lulzim Basha ka zgjedhur për t’iu përgjigjur sulmit, duke ndëshkuar zërat brenda partisë që u rreshtuan krah Berishës.

Ermal Hasimja deklaron: “Është normale që ai të mbrojë partinë”.

Por, Ben Andoni shprehet: “Vendimet e Bashës, aspak të arsyeshme sepse tek e fundit është gjendja ku e ka çuar ai partinë, ndërkohë që mendoj që edhe nga pjesa e njerëzve që po e kundërshtojnë Bashën, duhet të ketë një sens etik me rregullat që kanë brenda PD-së. Këto nuk po funksionojnë sepse PD-ja po tregon që nuk është institucion në këtë moment”.

Distancimin nga Berisha dhe Basha e shohin si të vetmen formë që PD-ja të mbijetojë.

“Duke nisur nga përplasja e interesave, zgjidhja më e mirë do të ishte një figurë e re që nuk është as Bashë e as Berishë, figurë me integritet. Basha ka problemin e madh që nuk frymëzon, Berisha ka problemin që është vështirësisht i pranueshëm”, tha Hasimja.

“Një pjesë e madhe e demokratëve e di shumë mirë që Berisha nuk e çon dot më përpara, është pjesë e së shkuarës. PD-ja ka nevojë për njerëz me vizion dhe me idetë e reja të së djathtës”, theksoi Andoni.

Në dy foltoret e fundit, të Elbasanit dhe Kukësit, Berisha ka shprehur hapur dëshirën për të marrë drejtimin e partisë, çka ka nxitur Bashën të hidhet në sulm, duke folur për herë të parë për llum të ish-qeverisjes së demokratëve, që tashmë, sipas kryetarit, bashkëpunon me Ramën.  

A2 CNN Livestream

Dita jonë