Foltoret e Berishës përplasin Bashën dhe Ramën në foltoren e Kuvendit

Edhe pse në mungesë, Sali Berisha mbajti debatin ndërmjet Ramës dhe Bashës në seancën parlamentare. Tashmë kundërshtar i të dyve, Foltorja e ish-kryeministrit ishte kryefjala e diskutimit mes shefit të mazhorancës dhe atij të opozitës, ku edhe këtë herë nuk mungoi ftesa për bashkëqeverisje. 

Që pas betimit si deputet, Sali Berisha nuk është futur më brenda sallës së Parlamentit, por prania e tij ishte më e dukshme se kurrë këtë të enjte. Edi Rama dhe Lulzim Basha për dy orë debatuan me njëri-tjetrin, ku herë pas here, diskursi i tyre shkonte tek ish-kryeministri, tashmë kundërshtar i socialistëve dhe i vetë Lulzim Bashës. “Mos imito atë të foltores se imitimi është gjithmoinë më i shëmtuar se origjinali. Hallin që ke, sado ta qajmë, nuk ta zgjidhim dot”, tha Rama.

Basha u përgjigj: “Foltorja është halli yt, jo i imi. Bëhu gati për Foltore se nuk ka Foltore që të shpëton ty”.

Prej ditësh, Basha ka artikuluar se qeverisja e demokratëve nuk ka qenë e kulluar. Në Parlament tregoi se veset kishin përfshirë edhe paraardhësin e tij në krye të PD-së: “Sado të mundesh, nuk e arrin dot se i ka bërë gjërat 500 herë më mirë se ty dhe ato pak vese e të këqija që kishte, ti i ke 500 herë më të mëdha. Unë nuk pështy për 16 vite të bashkëpunimit me Sali Berishën. Në Komisionin e Inceneratorëve do të flasin të gjithë, edhe ata të llumit të qeverisjes sonë”.

Rama ia ktheu: “Foltoren këtu nuk e solla unë. Pse qesh? Kujdesem për të mirën tuaj. Sa më shumë të angazhohet pakica, aq më shumë punon shumica”. 

Në dy orë nuk munguan përplasjet për korrupsionin, ndonëse me nota humori.

“Kur t’i rriten kicat SPAK-ut, se mesa duket, paska nevojë për steroide nga vendi i Pfizer e Astrazeneca, por jo Sinovac dhe Sputnik”, u shpreh Basha.

“Të gjithë e dimë që këto janë gjoba, Lul”, u përgjigj Rama.

Debati hera-herës mori trajta të paimagjinueshme për qytetarët shqiptarë, ku kryeministri pohonte se financat shqiptare, edhe pse në krizë energjitike, do të arrijnë qiellin: “Vitin tjetër ngrejmë dy satelitë, Albania 1 dhe Albania 2”.

“Ti, njeriu i satelitëve, kur shqiptarët nuk blejnë dot një bukë e dy qepë”, tha Basha.

Por, rrufeja në qiell të hapur ishte deklarata e Ramës për bashkëqeverisje, me të cilën lëshoi mikrofonin duke dalë nga skena: “Nëse ti bëhesh origjinal, nëse e ke një origjinal brenda teje, atëherë mund të flasim për bashkëqeverisje”.

“Sa qesharak që je”, ishte përgjigjja e Bashës.