Rama replikë me Bashën: Kur të kalosh nga kopja tek origjinali, mund të bëhesh gati për bashkëqeverisje

“Mos hyr në garë se kush më shan më shumë, se në këtë garë ke hyrë me ustain, se për të shara nuk e konkurron njeri ustan tënd, është sharësi dhe shpifësi më i madh në trojet shqiptare. Ti je shumë më majolik, ai është origjinali, ti je kopja. Kur të kalosh nga kopja tek origjinali mund të bëhesh gati për bashkëqeverisje”. Kështu iu përgjigj në replikë kryeministri Edi Rama, Lulzim Bashës.

Në replikë të kryetarit të Partisë Demokratike, që i tha kryeministrit të bëhet gati për foltore, Rama pa kursyer ironinë i tha se “foltoren këtu nuk e solla unë, por ti që vjen i fundit se të del gjumi vonë”. Sipas Ramës, ajo që po ndodh në PD është shumë e shëmtuar.

“Ajo që ndodh me ju, mua jo vetëm nuk më argëton, por më bën të ndjehem keq sepse është fundi i etikës i një partie, e cila ka bërë çka bërë, por deri këtu nuk kishte shkuar. Që ta dish është shumë e shëmtuar ajo që po ndodh. Foltoren këtu nuk e solla unë këtu, nëse do ta sjellësh ti këtu. Pse ndërhyn dhe pse qesh se e qeshura ka filluar të të dalë me shumë vështirësi këto kohë. Të kam pikë referimi gjithë këto kohë. Mendoj për të mirën tënde këto kohë se sa më mirë të jetë opozita aq më shumë angazhohet mazhoranca. Foltoren e sjell ti kur vjen këtu i fundit se zgjohesh më vonë se të gjithë ne këtu. Dhe fillon nje llogore”.

Rama i tha Bashës të mos imitonte ustain, duke nënkuptuar ish-kreun e PD-së Sali Berisha. Ai e akuzoi kreun demokrat se po fliste me gjuhën e Berishës, që vinte diagnozë kur fliste me të, gjë që po e bën edhe Basha.

“Ta thashë, e përsëris mos imito atë që këtu e quajte ustai, ustai yt, jo imi, se sa më shumë e imiton, aq më pak mund të kthehesh në realitet ato që sheh në ëndërr. Ai thoshte që edhe studentët e mjekësisë, ti thua të psikologjisë. Ai vinte diagnozë kur replikonte me mua, dhe ti vure diagnozë sot. Ai ishte autori i i një dosje të fabrikuar që i ka dalë edhe rrënja e së vërtetës në lidhje me djalin tim, ti e rimerr këtu prapë dhe më tregon ti mua prindin dhe këta duatrokasin. E kupton sa poshtë je? Me këto do ta ringresh se ke që nga 2013 dhe prapë nga humbja në humbje. Me këto do të bësh ti opozitën duke iu referuar ustait tënd duke folur si ai duke nxjerrë fjalë që është turp për të gjthë ne qe jemi këtu dhe si prindër në radhë të parë për të mbushur TV me ato lloj fjalësh ul e ngri fjalët më të ulëta, me këto nuk fiton”.

Sa u përket shifrave dhe abuzimeve të qeverisë që përmendi Basha, Rama u përgjigj se nuk mund të marrë leksione nga një njeri që nuk ka bërë asgjë në jetën e tij, por i është dhuruar.

“Nuk i bën dot aq km sa kam bërë unë në Shqipëri për shkak të detyrës dhe e sjell këtë për të thënë që si e njoh unë në çdo cep nga veriu në jug nga lindja në perëndim këtë vend, në sa familje kam shtrënguar unë duar, ty të duhen disa jetë dhe sikur të zgjohesh herët, kurse me këtë regjim gjumi që ke ti të duhen shekuj ta bësh këtë punë kështu që mua mos më trego familjet e varfra, sepse unë di dhe lexoj shifrat dhe i kam këtu te lëkura e dorës. Qindra mijëra duar këtu i kam dhe në këtë pikë askush nuk më jep dot leksione te njohja e këtij realiteti. Ty ti kanë dhënë gjërat gati. Ti duhet të tregosh çfarë bën njëherë na trego një vepër, na thuaj dilni atje dhe na thuaj këtu është vepra. Nuk po të them koston e Rrugës së Kombit, që po vazhdon të përfundojë akoma. Të dalin cicërimat lirshëm kur flet për miliona”.