“Refuzimi i vaksinës nga mungesa e besimit”, Dasho: Qytetarët paguajnë ryshfet për certifikatën e vaksinimit

Refuzimi i vaksinës nga studentët vjen si pasojë e mungesës së besimit te qeveria. Kjo është sipas mjekut, Erion Dasho, arsyeja kryesore pse Shqipëria ka arritur në këtë pikë, ku besohet më shumë fjala e një konspiracionisti, sesa e një eksperti.

“Më vjen shumë keq që studentët të refuzojnë vaksinën. Ka shumë arsye pse kemi ardhur në këtë pikë, por kryesorja është se qeveria ka humbur besueshmërinë te publiku. Jo vetëm Ministria e Shëndetësisë, por edhe ekspertët shqiptarë nuk kanë folur të bazuar mbi evidenca dhe fjala e tyre nuk dëgjohet në Shqipëri. Idetë e konspiracionistit dëgjohen me mirë se eksperti dhe kjo është fatkeqësia ku kemi arritur dhe kjo për shkak të gafave. Vaksinim po, detyrim jo, sepse për këtë arsye dhe thyerje të besimit ka studentë që nuk dëshirojnë të vaksinohen. Covid mund të shkaktojë edhe vdekje tek të rinjtë dhe çdo student duhet të vaksinohet”.  

Në studion e “Ditarit” në A2 CNN, Dasho apeloi për vaksinimin e studentëve, pasi sipas tij testimi është edhe kosto për ta, në një kohë kur në vendet europiane kushton shumë lirë, në Shqipëri çmimi është i papërballueshëm. Dhe kjo sipas tij është spekulative dhe antiligjore.

“Vijmë te pasaporta e gjelbër, që ka si element i shëruar nga Covid, ka vaksinimin dhe testimin e shpejtë. Në shkollat gjermane 3 herë në javë shkolla ofron mundësinë të testohen falas. Kosto e testit është minimale dhe ekuivalente. Testi i shpejtë në Shqipëri nuk mund të gjendet nën 15 euro dhe kjo është spekulative dhe ka kompani që përfitojnë në kurriz të jetës së shqiptarëve dhe kjo është antiligjore. Ajo që unë rekomandoj është që sikurse në supermarketet europiane e blen 5 cent në market. Këtë mund ta blejë dhe studenti dhe ky person është po aq i sigurt për të hyrë në auditor sa një i vaksinuar”.

Lejimin e 22 mijë tifozëve në stadium pa kërkuar pasaportën e gjelbër, Dasho e konsideron një gafë të rëndë të Komitetit Teknik, në një kohë kur mbyllen universitetet.

“Këto gafa nuk kanë munguar gjatë gjithë pandemisë në Shqipëri. Ai komitet ekspertësh është sjellë si shtojcë e politikës dhe nuk ka sjellë mendimin shkencor gjatë pandemisë. Ky komitet është komitet turpi. Nëse ti mbyll universitetet dhe nuk u ke kërkuar pasaportën e gjelbër për të hyrë në stadium kjo është një gafë e rëndë, që duhet të mbahet përgjegjësi profesionale dhe ligjore. Nuk ka gjë të keqe që tifozët të lejohen, por të paraqesin pasaportën e gjelbër që të minimizohet rreziku i përhapjes së infeksionit”.

Mungesën e besimit tek autoritetet, Dasho e shikon edhe tek ecuria e fushatës së vaksinimit, ku sipas tij  qytetari zgjedh të paguajë ryshfet për certifikatën e vaksinimit, në vend që të vaksinohet.

“Në Shqipëri, nuk po ecën fushata e vaksinimit jo se nuk ka vaksina, por se nuk kanë besim qytetarët. Qytetari më mirë preferon të paguajë ryshfet që të marrë certifikatë vaksinimi sesa ta kryejë realisht”.

Për qytetarët me imunitet të dobët ai sugjeron që të marrë dozën e tretë të një prej vaksinave Pfizer, Moderna apo AstraZeneca, si edhe për ata që janë vaksinuar me coronavac.