Brazili mposht Uruguain, pranë kualifikimit edhe Argjentina

Përditësuar më: 15/10/2021, ora 12:22
neymar raphinha

Brazili mposht Uruguain, pranë kualifikimit edhe Argjentina

Përditësuar më: 15/10/2021, ora 12:22

Brazili është vetëm një fitore larg kualifikimit në Botërorin e “Katar 2022”. Në sfidën e parë me tifozët në stadium që prej nisjes së pandemisë, “Seleçao” mundi 4-1 Uruguain, me spektaklin e Neymar dhe Raphinha që i dhuruan Brazilit fitoren e dhjetë në 11 takime.

31 pikë në kaq ndeshje nuk ka mundur t’i grumbullojë asnjë përfaqësuese në të katërta edicionet paraardhëse të Amerikës Latine, që kur mori jetë ky format eliminatoresh në vitin 2002. Formën e shkëlqyer të skuadrës së Tites e provoi edhe Uruguai, që të vetmen gjurmë u përpoq ta linte me Luis Suarez, kur ngushtoi shifrat në minutën e 77-të.

Një sukses në muajin nëntor përballë Kolumbisë në Sao Paolo, i jep Brazilit biletën e “Katar 2022”, ndërkohë që pas tyre vjen menjëherë Argjentina, një tjetër ekip në superformë. Edhe pse me Messin në ditën e tij jo më të mirë, ishte Martinez ai që mendoi për fitoren përballë Perusë. Argjentina është gjithashtu një hap larg kualifikimit, ndërsa renditet e dyta, e shkëputur nga kundërshtarët.

Katërshja që siguron direkt kualifikimin në Botëror plotësohet për momentin nga Ekuadori dhe Kolumbia, ndërsa në vendin e pestë, i cili të jep mundësinë e kalimit nëpërmjet “playoff”, qëndron Uruguai, 3 pikë më pak se përfaqësuesja e Kilit.