Raporti mbi sundimin e ligjit, Meta: Gjendja shumë e rëndë, qeveria të reflektojë

Përditësuar më: 16/10/2021, ora 14:59

Raporti mbi sundimin e ligjit, Meta: Gjendja shumë e rëndë, qeveria të reflektojë

Përditësuar më: 16/10/2021, ora 14:59

Zbatimi i ligjit në Shqipëri po përkeqësohet në mënyrë të ndjeshme, pohon Presidenti Meta, që citon raportet e organizatave ndërkombëtare.

“Indeksi i Sundimit të Ligjit 2021”, përgatitur nga World Justice Project, është tregues i gjendjes reale ku ndodhet vendi dhe një “thirrje” e fuqishme për të reflektuar dhe marrë masa për të luftuar korrupsionin dhe mundësuar një drejtësi efektive dhe të paanshme për të gjithë. Konkluzionet e WJP konfirmojnë se Shqipëria ka korrupsionin më të lartë në Europë dhe rajon dhe se asnjë tregues nuk njeh përmirësim, por vetëm rënie të vazhdueshme në krahasim me vendet e tjera”

Ilir Meta, president i Republikës

Duke cituar të dhënat e raportit, Meta thekson se Shqipëria renditet e 83-ta nga 139 shtete sa i takon sundimit të ligjit, mes vendeve Algjeria dhe Uzbekistani. Faktori i respektimit të ligjit nga Qeveria rendit vendin në pozicionin e 109, ndërsa sa i përket korrupsionit, ndikimit të paligjshëm dhe shpërdorimit të fondeve publike, Shqipëria renditet në vend të 105, pas Ganës dhe Kolumbisë.

“Këto të dhëna, për fat të keq, përputhen plotësisht me bindjen dhe perceptimin e përgjithshëm të qytetarëve tanë, të cilët nisur nga kjo situatë e rëndë, kanë humbur shpresën dhe gjithmonë e më shumë po largohen nga vendi, për ta ndërtuar jashtë Shqipërisë të ardhmen e tyre. Jam thellësisht i shqetësuar për faktin se këto raporte, që tregojnë me vërtetësi realitetin tonë, edhe pse na konfirmojnë prej vitesh përkeqësim të vazhdueshëm, sërish nuk gjejnë reflektim tek ata që kanë përgjegjësi për të ndërmarrë masat respektive”

Ilir Meta, president i Republikës

Gjendja është shumë e rëndë, pohon Presidenti Meta, ndërsa bën apel për reflektim të menjëhershëm nga Qeveria dhe Parlamenti.