Blenë vota në Maqellarë, SPAK mbyll hetimin për juristin e Bashkisë

Përditësuar më: 18/10/2021, ora 20:01

Blenë vota në Maqellarë, SPAK mbyll hetimin për juristin e Bashkisë

Përditësuar më: 18/10/2021, ora 20:01

Prokuroria e Posaçme, SPAK, ka përfunduar hetimin për një nga episodet e kallëzuara si krim elektoral në ditët e fundit para zgjedhjeve të 25 prillit 2021. Dyshimet e para të një grupi simpatizantësh të PD në 22 prill, se dy persona po blenin vota në Maqellarë janë materializuar nga SPAK me akuza zyrtare ndaj juristit të bashkisë Bulqizë, Denis Xholi, 36 vjeç dhe tëafërmit të tij Albion Çeku, 25 vjeç. Ata do të dërgohen si të pandehur në Gjykatën e Posaçme për akuzën e “korrupsionit aktiv në zgjedhje” dhe “përdorimin e funksionit publik për veprimtari politike, ose zgjedhore.

Referuar hetimit 6-mujor të SPAK, ka rezultuar e provuar se i pandehuri Denis Xholi dhe Albion Çeku kanë shpërndarë në njësinë Administrative Maqellarë shuma monetare te persona të tjerë, me qëllim përcaktimin e mënyrë së votimit të zgjedhësve në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Po sipas hetimit, i pandehuri Xholi, i cili mbante funksionin e përgjegjësit të zyrës juridike në Bashkinë Bulqizë, në kundështim me ligjin, gjatë orarit të punës, është vënë në mbështetje të kandidatëve për deputetë dhe të subjekteve zgjedhore.

 Xholi dhe Çeku po lëviznin me një mjet “Volsvagen” kur u bllokuan në rrugë nga dhjetëra simpatizantë të Partisë Demokratike, deri në mbërritjen e policisë, pas dyshimeve se po blenin vota. Në mjetin e tyre u gjetën fletë palosje kandidatësh, si edhe një shumë prej gati 500 mijë lekësh.