Mbyllet përkohësisht Galeria Kombëtare e Arteve

Përditësuar më: 18/10/2021, ora 19:47
gka 1024x576

Mbyllet përkohësisht Galeria Kombëtare e Arteve

Përditësuar më: 18/10/2021, ora 19:47

Pas Teatrit të Kukullave, nga sot nis rikonstruksioni i Galerisë Kombëtare të Arteve. Ministria njofton se që nga 18 tetori i këtij viti e deri në përfundim të punimeve që do të zgjasin 2 vite, godina nuk do të funksionojë për artin vizual. Pra, kryeqytetit i mbyllet edhe Galeria deri në fund të vitit 2023. Sipas njoftimit të Ministrisë aktiviteti i institucionit do të vijojë në muze apo të tjera ambiente, por prej 5 vitesh Galeria nuk ka publikuar asnjë kalendar të eventeve. Dhe nëse marrim në konsideratë aktivitetin e katër viteve të fundit, galeria numëron vetëm 2 ekspozita të reja.

Veprat e fondit të Galerisë do të shkojnë pranë Albafilm, një ndërtese që ndodhet pranë Ministrisë së Kulturës e që më herët ka qenë edhe shtëpia e përkohshme e Teatrit të Operas dhe Baletit. Por, e gjithë kjo kohë e rikonstruksionit të godinës do të shërbejë si një periudhë për t’iu dedikuar digjitalizimit të veprave të rëndësishme të fondit artistik. Po ashtu Ministrja Margariti më herët ka theksuar se krijimtaria e prof. Enver Fajës do t’i nënshtrohet restaurimit dhe mirëmbajtjes.

Sa i përket ndryshimeve që do të pësojë Galeria Kombëtare e Arteve, projekti i ri përfshin një godinë simotër që do t’i  shtohet asaj ekzistuese, në pjesën e pasme, me të njëjtat volume, duke zgjeruar hapësirat e fondit të ruajtjes së veprave të artit dhe gjithë aktivitetit. Nga 4.600 m2 që është sot, muzeu do të shtrihet në 10.100 m2. Dhe 1 miliardë lekë do të shpenzohen në dy vite për këtë institucion.