Dosja “Toyota Yaris”, gjykata jep 1 vit burg për mosdeklarimin në kufi të 3,4 milionë euro

Përditësuar më: 19/10/2021, ora 16:20

Dosja “Toyota Yaris”, gjykata jep 1 vit burg për mosdeklarimin në kufi të 3,4 milionë euro

Përditësuar më: 19/10/2021, ora 16:20

Kjo deklaratë e kryedemokratit dhe sekuestrimi pak ditë më vonë i 3,4 milionë eurove në dy mjete “Toyota” në Portin e Durrësit, trazoi skenën politike qershorin e vitit 2018. Por, tre vjet e katër muaj më vonë, gjithë çështja “Toyota Yaris”, që përballi Ballën e Bashën në gjyq për “shpifje”, si edhe vuri nën hetim gjashtë persona, përfundoi me një dënim të vetëm me 1 vit burg.

Gjykata e Tiranës shpalli fajtor Ervis Vladin për faktin se nuk deklaroi në kufi milionat e eurove të fshehura në mjetet “Toyota”. Ai u dënua me 1 vit e 6 muaj për akuzën e “mosdeklarimit në kufi të shumave dhe sendeve me vlerë”, por përfitoi uljen e një të tretës së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Çështja e 3,4 milionë eurove të mbërritura në Portin e Durrësit, të fshehura në dy “Toyota” të ardhura nga Belgjika, u hetua fillimisht nga ish-Prokuroria për Krimet e Rënda për akuzën e “pastrimit të parave”, “grupit të strukturuar kriminal” dhe “kryerjes së veprave nga organizata kriminale”.

Për çështjen u shpallën në kërkim vëllezërit Ervis dhe Alfred Vladi, ndërsa u arrestuan Agim Çeka, Alban Mollaymeri, Edi Lika dhe Klevi Cani. Ata u liruan në janar 2020 për shkak të tejkalimit të afateve të paraburgimit. Në dhjetor 2019, Krimet e Rënda vlerësuan se nuk kishte grup kriminal dhe ia kaluan çështjen Prokurorsë së Tiranës.

Në shtator 2020, Gjykata e Tiranës dërgoi në gjyq si të pandehur vetëm Ervis Vladin për akuzën e “mosdeklarimit në kufi të shumave”, ndërsa pushoi çështjen për të tjerët lidhur me sasinë prej 3,4 milionë euro.

Pika e kthesës në hetimin e prokurorisë ishte administrimi i dëshmisë së gjermanit Carlo Rizzato. Ai deklaroi se ia kishte dhënë ai shumën e parave Ervis Vladit në “cash”, për fillimin e një veprimtarie biznesi në Shqipëri.  

Ndërkohë, 3,4 milionë eurot vijojnë të jenë të sekuestruara dhe në Gjykatën e Posaçme po zhvillohet një proces ku SPAK kërkon konfiskimin e tyre dhe të disa pronave të vëllezërve Vladi.