Vetingu i politikanëve, hallkat e propozimit të PD, nga hetimi i SPAK te vendimi i Kushtetueses

Përditësuar më: 19/10/2021, ora 18:59

Vetingu i politikanëve, hallkat e propozimit të PD, nga hetimi i SPAK te vendimi i Kushtetueses

Përditësuar më: 19/10/2021, ora 18:59

Deputetët, Kryeministri, ministrat, Presidenti  kryebashkiakët, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Avokati i Popullit dhe Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit, përbëjnë grupin e funksionarëve publik që PD kërkon t’i nënshtrohen kontrollit të integritetit, njohur ndryshe dhe si vetingu i politikanëve.

Amendamentet kushtetuese theksojnë se procesi duhet të mbyllet brenda 3 viteve ndërsa verifikimi bëhet nga një grup i posaçëm prej 6 prokurorësh të SPAK. Kontrolli ndaj një politikani zgjat maksimumi 1 vit dhe në rast kontaktesh të dyshimta me njerëz të botës së krimit, ai ka barrën për të provuar të kundërtën.

Nëse funksionari publik ka kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar zbatohet prezumimi në favor të masës së ndalimit për t’u zgjedhur apo emëruar në funksionin publik, mbarimit të mandatit apo shkarkimit nga detyra, dhe subjekti ka detyrimin të provojë të kundërtën.

Por kë konsideron PD si kontakt me botën e krimit?

“Personi konsiderohet i përfshirë në krimin e organizuar edhe kur: a)procedimi penal i filluar ndaj personit pushohet nga organi procedues për shkak të pamjaftueshmërisë së provave, të vdekjes së personit, apo se personi nuk mund të merret si i pandehur dhe nuk mund të dënohet; b) personi deklarohet i pafajshëm penalisht për shkak të pamjaftueshmërisë së provave, apo se vepra penale është kryer nga një person, që nuk mund të akuzohet ose dënohet”.

Pasuria e pajustifikuar ligjërisht është kriteri i dytë që përcakton fatin e politikanit, por këtu PD është treguar më tolerante.

“Nëse funksionari publik ka një pasuri më të madhe se dyfishi i pasurisë së ligjshme, ai konsiderohet se disponon pasuri të pajustifikuar ligjërisht.

Në mbyllje të verifikimit, prokurorët e SPAK duhet të çojnë dosjen për vendim në Gjykatën Speciale anti-korrupsion, që ka fjalën e fundit në rast konfirmimi në detyrë. Përndryshe, nëse kërkohet largimi i politikanit, ai ka të drejtën e ankimimit.

“Vendimi i SPAK për moskonfirmimin në detyrë, apo vendimi i Gjykatës së Posaçme e Shkallës së Parë mund të ankimohet nga funksionari publik brenda 30 ditëve nga vendimi pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit. Nëse vendimi i moskonfirmimit lihet në fuqi, çështja i dërgohet për shqyrtim përfundimtar Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese vendos përfundimisht që mandati i funksionarëve të zgjedhur ose të emëruar në organet kushtetuese, mbaron ose është i pavlefshëm. Në këtë rast, Gjykata Kushtetuese urdhëron ndalimin për t’u zgjedhur apo emëruar në një funksion publik për një periudhë 15 vjet”.

Kush nuk do t’i nënshtrohet verifikimit ka 60 ditë kohë për të hequr dorë nga funksioni, ndërsa i gjithë procesi ndiqet nga një Komision i Posaçëm i Kuvendit, përbërë nga 6 deputetë, 3 të mazhorancës e 3 të opozitës, që janë dhe politikanët e parë që i nënshtrohen vetingut.

Sa i përket dy reformave të tjera, PD kërkon rikthimin e konceptit të komunës për zonat rurale, si pjesë të ndarjes territoriale. Në zgjedhje PD kërkon përsëri koalicionet, që u hoqën nga mazhoranca me ndryshime te njëanshme të 30 korrikut, si dhe hap plotësisht listën e kandidatëve bazuar mbi preferencën e votuesit. Zhbërja e premtuar nga Basha, e marrëveshjes së 2008 mes Berishës dhe Ramës, nuk duket. Por te sistemi elektoral proporcional, PD heq përcaktimin e garës në nivel qarku, duke lënë të hapur mundësinë e ndërhyrjes për të tjera ndryshime përmes Kodit Zgjedhor.