“Duhet të kontrollohen komunikimet elektronike të turistëve rusë”

Publikuar më: 21/10/2021, ora 20:27

“Duhet të kontrollohen komunikimet elektronike të turistëve rusë”

Publikuar më: 21/10/2021, ora 20:27

Fatjon Softa, ekspert sigurie, deklaroi në “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN, se vdekja e 4 turistëve rusë “është ngjarje shumë enigmatike, që nuk ka ndodhur ndonjëherë në vendin tonë”.

“Sa i përket mostrave të ujit, duhen marrë nga Instituti i Higjienës dhe jo punonjësit e policisë. Por, më duket e çuditshme që ndiqet pista e klorit, pasi si substancë është i rrezikshëm, por i tretur në ujë nuk përbën shkallë të madhe rrezikshmërie. Më tej, kemi të bëjmë me 4 njerëz, dy meshkuj dhe dy femra, në grupmosha të ndryshme, që nuk mund ta kenë të njëjtë reagimin ndaj një gazi apo substance. Nëse kthehemi për të marrë prapë mostra uji, atëherë ekspertiza mjeko-ligjore ka qenë e pamjaftueshme. Mostrat nuk janë më të vlefshme nëse kthehesh pas shumë orësh”, u shpreh Softa.

Sipas tij, mund të jenë përdorur elementë biologjikë: “Unë mendoj se mund të jenë përdorur elementët biologjikë. Policia shqiptare nuk ka detektorë për t’i gjetur këto elementë. Edhe në rastet që kemi dëgjuar me liderin e opozitës në Rusi, janë kryer analizat në laboratorët e Gjermanisë. Në raste të tilla, duhet të bashkëpunojmë me partnerët ndërkombëtarë. Përgjigjet duhet të vijnë shpejt, pasi do të dëmtohet turizmi ynë duke qenë se rusët po vijnë në vendin tonë shpesh”.

Në fund, Softa nënvizoi se “duhet të kontrollohen edhe komunikimet elektronike që turistët kanë pasur, që hetimi të bëhet më i plotë”.