Juventus del në origjinë, Allegri rigjen skuadrën që kërkon

Përditësuar më: 21/10/2021, ora 16:22
juventus 868x579

Juventus del në origjinë, Allegri rigjen skuadrën që kërkon

Përditësuar më: 21/10/2021, ora 16:22

Të fitosh është e vetmja gjë që ka rëndësi. Motoja shekullore e Juventusit gjen vend në mënyrë të përkryer tek ajo që bardhezinjtë kanë shfaqur në ndeshjet e fundit.

“Zonja e Vjetër” është rikthyer te stofi i vjetër, ndërsa pasiguritë e mbrojtjes dhe portierit Shezni janë hedhur pas krahëve. Juventus ka fituar 7 ndeshje nga 8 të fundit, por ajo që është më me rëndësi është fakti që 4 përballjet e fundit janë fituar minimalisht 1-0. Torinezët kanë tashmë sigurinë e mjaftueshme për të pritur, për t’u mbrojtur larg portës së tyre dhe për të besuar te kualitetet individuale.

Formula e Allegrit për t’u mjaftuar edhe me një gjysmë goli funksionon, mbi të gjitha në Evropë, atje ku gjëja më e rëndësishme janë 3 pikët. Përballë Zenitit, bardhezinjtë demonstruan armën më të fortë, durimin. Të presësh momentin e duhur për të goditur një skuadër inferiore, që vuan të krijojë në sulm dhe që mbyllet prapa për të shpresuar në një pikë.

Max Allegri po tregon se di t’ia transmetojë mirë idenë e tij taktike skuadrës, e cila në disa raste, edhe për shkak të mungesave, ka qenë zgjidhja e vetme për të fituar. Me këtë moral, Juventus i drejtohet derbit të Italisë, ku të dielën në mbrëmje e presin rivalët e përjetshëm të Interit, në San Siro.