Krimet e bujshme në pandemi: Për 4 të vrarë, GJKKO kalon për gjykim grupin e Talo Çelës

Përditësuar më: 21/10/2021, ora 16:51

Krimet e bujshme në pandemi: Për 4 të vrarë, GJKKO kalon për gjykim grupin e Talo Çelës

Përditësuar më: 21/10/2021, ora 16:51

Katër nga gjashtë të dyshuarit si pjesë e një grupi kriminal të drejtuar nga i shumëkërkuari Talo Çela, do të gjykohen në Gjykatën e Posaçme për ekzekutimin e katër personave në dy ngjarje të bujshme të pranverës së vitit 2020.

Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK për të kaluar për gjykim çështjen e Altin Ndocit, bashkëpunëtorit të drejtësisë, Klevis Alla, si edhe Besian Xhixhës e Enver Divës. Ndoci dhe Alla akuzohen për “vrasje në rrethana cilësuese” ndaj dy ose më shumë personave, “grup të strukturuar kriminal” dhe “armëmbajtje pa leje” për ngjarjet ku u vranë Dorian Shkoza e Anxhelo Avdia dhe vëllezërit Besmir e Viktor Haxhia.

Ndërsa Xhixha dhe Diva do të gjykohen për “sigurim të kushteve për të kryer vrasje”. Për të dyshuarin si drejtues i grupit, Talo Çela dhe për të pandehurin tjetër, Nuredin Dumani, gjykata vendosi të pezullojë për një vit çështjen, pasi të dy ende nuk janë të arrestuar nga policia. Dorian Shkoza dhe Anxhelo Avdia u ekzekutuan pasditen e 2 marsit të vitit të kaluar në lagjen nr. 14 të Durrësit, në një zonë të njohur si tregu i makinave, në një kohë kur vendi ishte i izoluar për shkak të pandemisë COVID-19.

Në një distancë të afërt, më 27 prill u ekzekutuan teksa ishin në një automjet vëllezërit Besmir e Viktor Haxhia. SPAK ra në gjurmët e të pandehurve pas dëshmisë së të penduarit Klevis Alla, i cili tha se vrasja e njërit prej vëllezërve, ishte porositur nga Talo Çela. Sipas SPAK, vrasja e vëllezërve kishte si motiv një përplasje mes Talo Çelës dhe Besmir Haxhisë, për humbjen e disa parave të vjedhura në grabitjen e Rinasit.