Lëvizja që befasoi futbollin, të paktën 12 vende europiane gati të largohen nga FIFA

Përditësuar më: 21/10/2021, ora 15:18
FIFA 1024x576

Lëvizja që befasoi futbollin, të paktën 12 vende europiane gati të largohen nga FIFA

Përditësuar më: 21/10/2021, ora 15:18

Plani i FIFA-s, për të organizuar Kupën e Botës në çdo dy vjet është shoqëruar me një vendim të paprecedentë. Për të kundërshtuar projektin e parashtruar, të paktën 12 vende europiane janë gati të heqin dorë nga anëtarësia në konfederatën botërore të futbollit.

Lajmi befasues, u publikua nga “Associated Press”. Edhe pse janë gati të largohen nga FIFA, shtetet europiane të gatshme të marrin masën ekstreme, synojnë të mbeten anëtare të UEFA-s. Sipas mediave ndërkombëtare, lajmi i ardhur si rrufe në qiell të hapur, është në fakt një strategji e koordinuar më së miri me konfederatën europiane dhe presidentin e saj, Aleksander Ceferin.

Deri më tani, kundërshti të drejtëpërdrejtë me planet e FIFA-s kishte shprehur vetëm fronti i veriut, i përbërë nga Danimarka, Suedia, Norvegjia, Finlanda, Islanda dhe Ishujt Faroe. Vendet nordike ishin shprehur kundër zhvillimit të Botërorit në çdo dy vjet, duke dalë edhe më një deklaratë të përbashkët për media.

Edhe pse nuk dihet zyrtarisht cilët emra janë në listën e 12 vendeve që janë gati të largohen, fakti është që mbështetja e shteteve më të mëdha do t’i jepte prestigj frontit që kundërshton projektin e Kupës së Botës. Largimi legjitimohet edhe nga statuti i FIFA-s, sipas të cilit, çdokush që dëshiron të mos jetë më anëtar, duhet të lajmërojë gjashtë muaj përpara.

Për më tepër, precedenti i Gjibraltarit, i cili u anëtarësua te UEFA në vitin 2013, por u njoh nga FIFA vetëm tre vjet më pas, konfirmon se një federatë vendore mund të jetë anëtare e njërës, pa qenë pjesë e tjetrës.