Luan Baçi pas shkarkimit: Nuk emërohet kryetari i degës Fier, por zgjidhet nga kryesia

Përditësuar më: 21/10/2021, ora 11:20
luan baci dega fier pd deputeti  1024x576

Luan Baçi pas shkarkimit: Nuk emërohet kryetari i degës Fier, por zgjidhet nga kryesia

Përditësuar më: 21/10/2021, ora 11:20

Deputeti Luan Baçi, i cili prej disa vitesh mbante postin e kryetarit të degës Fier në PD, ka zhvilluar një mbledhje me Kryesinë e Qarkut Fier nga ku ka deklaruar se kryetari i PD, Lulzim Basha, i ka kërkuar atij dakortësimin për të emëruar në krye të degës Agron Kapllanajn.

Baçi ka nënvizuar se ai nuk ka dhënë dorëheqje zyrtare dhe se askush nuk i ka komunikuar shkarkimin e tij. Baçi nuk ka rënë dakord me këtë emër duke i kërkuar kryedemokratit që posti i kryetarit të degës  të zgjidhet me vota dhe jo më emërime.

Luan Baçi ishte ai që mirëpriti Berishën në takimin që ai zhvilloi me bazën e demokratëve në Fier. I pyetur se cilin mbështet midis Berishës e Bashës, ai ka theksuar se mbështet PD-në, ndërsa “Foltoren” e Berishës e ka cilësuar si nismë që i bën mirë Partisë Demokratike.

Teksa u shpreh se nuk është marrë me mbledhjen e firmave te delegatëve, në anën tjetër, ai zbuloi se 520 nga 600 delegatë që ka Fieri kanë firmosur kërkesën e Berishës. Sipas udhëzimeve të PD-së, për zgjedhjet në 2020 të gjithë ata që kandidonin për deputet duhet të japin dorëheqjen nga postet lokale që mbanin, por mesa duket kjo nuk është respektuar dhe Basha e ka lënë Baçin të vijojë si kryetari i degës Fier.