Arti i të ngrënit në ishujt magjikë grekë

Përditësuar më: 23/10/2021, ora 22:18

Arti i të ngrënit në ishujt magjikë grekë

Përditësuar më: 23/10/2021, ora 22:18

Ishujt grekë! Shtëpi të bardha, kaltërsia e detit, si dhe një luks marramendës, këto janë vetëm pak nga elementet që tërheqin turistë të shumtë në këto ishuj magjikë. Veç këtyre, CNN Travel, ndalet dhe te kultura e të ngrënit dhe të gatuarit. Restorante të thjeshta e deri tek ato më luksoze, por edhe amvisa që ruajnë ende receta të vjetra, dëshmojnë kulinarinë e pasur që po josh gjithnjë e më shumë turistë nga mbarë bota.

“Dollma”, gjethe rrushi të mbushura me karkaleca e të mbuluara me limon. “Galatopita”, një byrek klasik me qumësht dhe krem me gjalpë, zbukuruar me mjeshtëri me fruta të thata. Kosi kremoz, i mbuluar me arra dhe mjaltë është një nga mëngjeset klasike kudo nëpër ishuj. Në Santorini, ndonëse alternativat për të ngrënë ushqime të shtrenjta janë të shumta, turistët kërkojnë të provojnë gatime tradicionale të tilla si spanakopita, një lloj byreku me spinaq apo kunguj të skuqur lehtë me vaj ulliri. Diçka që kurrë nuk mungon në tavolinat greke: tzatziki, salca e kosit me kastravecë, kopër dhe limon.

Sallata tradicionale greke, e quajtur horiatiki (që do të thotë fshat), është një nga recetat më të njohura jo vetëm në Greqi, por edhe në të gjithë vendet fqinje. Përbërësi i saj unik: djathi feta, për të cilin grekët thonë se mund të shkojë me çdo gjë. Vaji i ullirit! Mbreti i dietës mesdhetare, pa të cilin asnjë ushqim nuk mund të konceptohet dhe jo më kot, sipas shkencëtarëve, vaktet mesdhetare janë më të shëndetshmet.  

Peshku dhe produktet e detit janë gjithashtu pjesë e tryezave dhe recetave të famshme greke. Karkaleca dhe oktapodë të varur kudo pranë lokaleve, si metodë për të treguar freskinë e produkteve dhe për të afruar klientët.

Megjithatë, përveç shumëllojshmërisë së produkteve bio, frutave, agrumeve, mishit dhe peshkut, dieta mesdhetare është shumë më tepër se ushqimi. Ajo bazohet në aktivitete të tilla si ecja, çiklizmi dhe kopshtaria, por mbi të gjitha edhe te mbledhja e miqve dhe familjeve për të konsumuar së bashku një vakt.