Pasuritë e sekuestruara nga SPAK, ish-gjyqtarët Dedja e Selimi kërkojnë t’i lirojnë në Gjykatën e Lartë

Përditësuar më: 24/10/2021, ora 16:37

Pasuritë e sekuestruara nga SPAK, ish-gjyqtarët Dedja e Selimi kërkojnë t’i lirojnë në Gjykatën e Lartë

Përditësuar më: 24/10/2021, ora 16:37

Dy nga ish-gjyqtarët Kushtetueses e Gjykatës së Lartë, që po hetohen nga SPAK për “fshehje dhe deklarim të rremë të pasurisë” i kërkojnë Gjykatës së Lartë të çlirojë nga sekuestroja disa pasuri të tyre.

Në Gjykatën e Lartë kanë “trokitur” ish-kreu i Kushtetueses, Bashkim Dedja dhe ish-anëtari i Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi.

Në dy rekurse të veçanta, dy ish-gjyqtarët e shkarkuar nga procesi i vetingut kundërshtojnë vendim e Apelit të Gjykatës së Posaçme, që ngriu pasuri të tyre bazuar në ligjin anti-mafia, me qëllim mos tjetërsimin e tyre.

Ish-gjyqtari Dedja kërkon heqjen e masës së sekuestros për një apartament plazhin e Gomenit, ndërsa ish-gjyqtari Selimi për pjesët takuese të tij në tre sipërfaqe trualli prej gati 3500 m2 në total, si edhe në 2 karburante në Vlorë.

Shorti i Gjykatës së Lartë ka përcaktuar gjyqtarët Albana Boksi dhe Sokol  Binaj si relatorë të dy çështjeve, shqyrtimi i të cilave pritet të ndodhë në ditët në vijim.

Dedja dhe Selimi janë vetëm 2 nga 10 ish-anëtarët e Kushtetueses dhe Gjykatës së Lartë, që po hetohen nga SPAK pas dyshimeve për pasuri të pajustifikuar.

Deri më tani SPAK tentoi të mbyllë hetimin për ish-anëtarët Bashkim Dedja dhe Fatos Lulo, por në të dy rastet, gjyqtari paraprak vendosi kthimin e çështjeve në SPAK për plotësim të hetimit.