Marrja e Eurobondit, do të thellohet borxhi publik, rrezikon mbi 80% të PBB
Marrja e Eurobondit me vlerë 700 milionë euro pritet të thellojë më tej borxhin publik të vendit, një ndër treguesit më problematikë të financave publike.
Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se në fund shtatorit, borxhi arriti në 76.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, teksa pritet të kapërcejë nivelin e 80% pas sigurimit të Eurobondit.
Por kjo është vetëm shifra e kontabilizuar e këtij treguesi. Kjo do të thotë se në nivelin aktual të borxhit nuk janë përfshirë detyrimet e gjykatave vendase për largimet e padrejta nga puna; vendimet e arbitrazhit ndërkombëtar; mosrimbursimet ndaj biznesit etj. Kosto këto që buxheti i njeh dhe që duhen paguar.
Rritja e nivelit të borxhit do të ulë aftësinë e qeverisë për të shpenzuar në projekte investimesh apo drejtime të tjera pas vitit 2021. Ky fakt u vu në dukje në raportin e fundit të Bankës Botërore në të cilin u analizua ecuria e ekonomisë në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Institucioni financiar ndërkombëtar rekomandoi se varësia gjithnjë e më madhe tek financimi i jashtëm do të bëjë që rreziku i kursit të këmbimit, rreziku i normave të interesit dhe ai i rifinancimit të mbeten të larta.
Për këtë arsye, Banka Botërore, por më herë edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë këshilluar qeverinë shqiptare që duke filluar nga viti i ardhshëm të bëjnë konsolidimin fiskal, e thënë ndryshe uljen e borxhit.