Vdekja e turistëve rusë, Ministria e Drejtësisë kërkon përgjigje nga mjekësia ligjore

Përditësuar më: 25/10/2021, ora 15:55

Vdekja e turistëve rusë, Ministria e Drejtësisë kërkon përgjigje nga mjekësia ligjore

Përditësuar më: 25/10/2021, ora 15:55

Ministria e Drejtësisë kërkon nga mjekësia ligjore informacion të përshpejtuar mbi shkaqet e vdekjes së 4 turistëve rusë në një hotel në Qerret të Kavajës.

Ende nuk dihet nëse kjo bëhet për shkak të përgjigjeve negative të njëpasnjëshme nga ana e institucioneve, të cilat duhet të bënin ekzaminimet e provave apo nëse ka një kërkesë të tillë nga Moska zyrtare.

Pak ditë më parë, interesimit të A2 CNN ambasada e Rusisë në vendin tonë iu përgjigj se një ekspertizë shtesë mund të kryhet mbi trupat e pajetë për të mësuar mbi shkaqet e vdekjes së tyre, ndërsa shpresonin në marrjen sa më të shpejtë të përfundimeve zyrtare nga pala shqiptare, përfundime të cilat ende nuk po vijnë.

Nga ana tjetër, Instituti i Shëndetit Publik nuk ka konstatuar asnjë anomali në ujin e dërguar për ekspertim ndonëse nuk ka kthyer ende një përgjigje zyrtare, ndërsa për pjesët e pljeskavicave, Instituti i Sigurisë Ushqimore u shpreh se nuk mund të ndihmojë dot në hetime pasi nuk është në kompetencën e tyre ligjore.

Kur ka kaluar më shumë se një javë nga ngjarja e rëndë një seri institucionesh kthyen përgjigje negative mbi ekspertiment, ndërsa përkthimi i marrjes në pyetje të dëshmitarëve u bë nga një përkthyes jo i licencuar nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, e cila tashmë kërkon përgjigje të rezultateve.