Helmimi në Krujë, dyshimet e para nga uji i pijshëm, bashkia i mbyll rubinetin qytetit

Përditësuar më: 26/10/2021, ora 16:15

Helmimi në Krujë, dyshimet e para nga uji i pijshëm, bashkia i mbyll rubinetin qytetit

Përditësuar më: 26/10/2021, ora 16:15

Spitali i Krujës nuk ka pasur aq shumë pacientë ndonjëherë se tre ditët e fundit. Qindra qytetarë kanë kërkuar ndihmë urgjente nga mjekët pas disa simptomave helmimi të shfaqura, duke filluar nga e diela e 24 tetorit.

Të vjella, dhimbje stomaku, dobësi trupore, ishin disa nga shenjat që raportojnë familjarët e të shtruarve jashtë kamerave. Të prekur janë të gjitha grupmoshat, banues në qytet, teksa nuk raportohet për të shtruar nga fshatrat apo lagjet periferike. Me mbërritjen e ministres Manastirliu, mbërriti edhe informacioni më i detajuar edhe për mediat.

Dyshimet e para, flasin për helmim nga uji i pijshëm, duke mos përjashtuar çdo faktor tjetër të mundshëm. Pas rritjes së të shtruarve, bashkia mbylli rubinetin e ujit për të gjithë qytetin, e madje edhe për spitalin.

Disa ditë para zgjedhjeve, në kulmin e fushatës zgjedhore, kryeministri Rama pa nga afër ujësjellësin e ri të Krujës, duke shkëmbyer batuta me kryebashkiakun Bushi e duke e ndarë bashkë dhe shishen me ujë.

Sot, pas kësaj ngjarjeje, i pyetur nga gazetarët se përse uji paraqet rrezik kur zona ka ujësjellës të ri, prefekti i Durrësit, Roland Nasto, heshti.

Për ngjarjen reagoi edhe presidenti Meta si dhe deputetët e opozitës, të cilët kërkuan hetim të plotë dhe serioz mbi shkaqet dhe shkaktarët pasi situata të tilla rrezikojnë sigurinë kombëtare dhe shëndetin e qytetarëve.